Los Anxhelos – 25 prilli shpallet dita e muzikalit “La La Land”

Përkundër parashikimeve, “La La Land” nuk e fitoi çmimin “Oscar”, por kryebashkiaku i Los Anxhelosit i bëri muzikalit tejet të pëlqyer një nderim të veçantë duke shpallur 25 prillin si ditën e tij...

721111
Los Anxhelos – 25 prilli shpallet dita e muzikalit “La La Land”

Përkundër parashikimeve, “La La Land” nuk e fitoi çmimin “Oscar”, por kryebashkiaku i Los Anxhelosit i bëri muzikalit tejet të pëlqyer një nderim të veçantë duke shpallur 25 prillin si ditën e tij.

Ngjarjet e filmit zhvillohen pikërisht në këtë qytet, ku një aktore e re, e përballur me shumë vështirësi në punën e saj, dashurohet me një artist të muzikës “Jazz”.

“Kjo do të jetë një ditë për të festuar ëndrrat tuaja, kur të mund të kërceni të qetë diku pranë makinës duke preferuar sigurisht që kjo të mos ndodhë në trafik. Një ditë kur mund të lini takim në ‘Griffith Park’, të bini në dashuri me dikë apo dhe me vetë qytetin sërish e sërish”, tha Eric Garcetti, kryetar i Bashkisë së Los Anxhelosit.

Në mungesë të dy yjeve të filmit, Emma Stone dhe Ryan Gosling, kryebashkiaku Garcetti i dorëzoi regjisorit Damien Chazelle një certifikatë të stërmadhe, e cila dëshmonte vulosjen e kësaj dite të veçantë, që producenti Jordan Horowitz e cilësoi “një ëndërr të bërë realitet”.

“Los Anxhelosi ia hapi krahët këtij filmi në një mënyrë të jashtëzakonshme. ‘La La Land’ ka një lloj magjie të veçantë dhe qyteti ishte në qendër të saj”, tha producenti Horowitz.

Kërcimtaret ajrore “Bandaloop” entuziazmuan kureshtarët dhe mediat me akrobacitë e tyre.



Lajme të ngjashme