Carlos Santana një gjeni i kitarës dhe i muzikës

Carlos Santana, thotë se pushteti i dashurisë duhet te jetë më i fortë se dashuria për pushtetin.

Carlos Santana një gjeni i kitarës dhe i muzikës

Meksikan, me një tingull muzikor të rrallë, kitaristi Carlos Santana , është padyshim një legjendë e rrokut, i cili me virtuozitetin e tij ka dhënë për miliona njerëz një muzikë origjinale, ku gërshetohet  muzika spanjolle e flamengos, shpirti meksikan , ritmi afrikan dhe muzika blues.

I njohur si një njeri i heshtur, sa edhe bohem, Carlos Santana, nuk i duhet të flasë shumë për të treguar se është një gjeni i kitarës dhe i muzikës.

Ai lindi në 20 korrik 1947, në një fshat meksikan, të quajtur Autlan. Babai i tij ishte violinist , instrument që nisi t’ia mësojë të birit që kur ai ishte i vogël, por që shumë shpejt, Santana, do ta braktiste për… kitarën(!). Në vitin 1955, familja e tij u vendos në Tijuana, ku Santana filloi të interpretonte në klubet dhe baret e kësaj zone turistike. Ai vazhdoi të qëndronte në Tijuana kur familja e tij shkoi për të jetuar në San Francisko, Kaliforni, por që, gjithsesi shpejt, Santana do t’i bashkohej familjes.

Në vitin 1966 ai krijoi ”Santana Blues Band “, një grup që filloi të interpretojë në The Fillmore West, vend ku interpretonin shumë grupe legjendare të  San Franciskos.Nga ajo kohë, Santana, njihet si muzikant, i cili mbron me fanatizëm të drejtat e njeriut. Ai ka qenë gjithnjë kundër luftës (është shprehur kundër luftës në Vietnam dhe po ashtu vazhdon të shprehet edhe sot kundër çdo lloj politike që nxit luftën) sikundër  ka dalë disa herë në mbrojtje të të sëmurëve nga Sida, duke hedhur edhe shuma të konsiderueshme parash.

Albumin e parë   Santana e realizoi me grupin e tij, që në atë kohë përbëhej nga Carlos Santana (kitarë ), Gregg Rolie (piano), David Brown (bas), Michael Shrieve (bateri), Jose Areas (perkusion) dhe Michael Carabello (perkusion).

Në turin e organizuar për të promovuar albumin e tij, Santana bëri një   prezantim legjendar, që e rriti shumë popullaritetin e tij. Por Santana pati një sukses të madh edhe me Abraxas (1970) dhe Santana III (1971), kohë kur dhe grupi  “Santana Blues Band”, u shpërbë.

Carlos Santana do të hidhte në treg më vonë një sërë albumesh, duke bashkëpunuar me John Lee Hooker, Willie Nelson, Herbie Hancock, Booker T. Jones, Wayne Shorter, Ron Carter y The Fabulous Thunderbirds.

Në vitin 1991, Santana u shfaq me albumin “Solo Para Ti”; në 1999  me një bashkëpunim më Rob Thomas, Eric Clapton dhe Lauryn Hill me albumin,   “Supernatural”,  një album, i cili pati shumë shitje; në 2002, Santana hodhi në treg “Shaman”; ndërsa në 2005 albumin e tij më të ri “All That I Am”.

Një nga koncertet e tij, që kanë mbetur në mendjen e shumë kujt, është koncerti i prillit të vitit të 2007, kur mblodhi 120 mijë vetë në Zokalo, qytet në Meksikë.

Muzikanti virtuoz njoftoi në atë kohë shtypin se të gjitha paratë e këtij koncerti i dhuronte për ndërtimin e një klinike në ndihmë të këtij komuniteti. Aq më tepër ai nuk harroi të thoshte se kurrsesi nuk do të donte që klinika të merrte emrin e tij   dhe as që të vendosnin statuja në nder të tij, sepse dhurimin e bënte me zemër dhe se qëllimi ishte vetëm të ndihmonte.

Një nga pikat që mjeshtri meksikan ka prekur dhe ka përsëritur gjatë kohëve të fundit ka qënë edhe roli që mund të luajë femra në disa aspekte të jetës njerëzore. “Gruaja është një burim drite”, është shprehur ai.
Fitues i nëntë çmimeve Grammy, 3 Grammy latine, dhe me më shumë se 25 milion disqe të shitura në të gjithë botën,  mjeshtri i kitarës ka një yll në shëtitoren e famës në Hollivud.

Santana kërkon, sipas fjalëve të tij, që pushteti i dashurisë duhet të jetë shumë më i fortë se dashuria ndaj pushtetit.



Lajme të ngjashme