Trupa e Baletit të Kosovës me shfaqen “Xhuljeta pa Romeon” mirëpritet në Austri

Performanca e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, që u ngjit në skenën e “Theater im Palais der Kunstuniversität Graz” për të dhënë premierën e shfaqjes “Xhuljeta pa Romeon” me koreografi të Darrel Toulon u mirëprit nga artdashësit në Graz të Austrisë.

529507
Trupa e Baletit të Kosovës me shfaqen “Xhuljeta pa Romeon” mirëpritet në Austri

Rreth 150 shikues ndoqën balerinët kosovarë duke e cilësuar shfaqjen “rrëfim i fuqishëm”, “performancë e shkëlqyer” dhe “shumë prekëse”, raporton nga Grazi gazetarja e Kohës Ditore.

Performanca e Baletit Kombëtar të Kosovës do të shfaqet edhe sot, për shkak të kërkesave të shumta  nga publiku.

Kjo është hera e dytë që Baleti Kombëtar i Kosovës performon në Graz, kurse kësaj radhe u bë pjesë e edicionit të 25-të të festivalit “Internationale Bühnewerkstatt Tanztheaterfestival”.

Ky festival i cili është themeluar në vitin 1992 si platformë për vallëzim teatri për balerinët dhe aktorët e rinj, u hap të dielën me një fragment nga shfaqja e Baletit Kombëtar të Kosovës, ku në skenë u ngjitën Teuta Krasniqi dhe Fatmir Smani, të cilët përveç hapjes edhe po mbajnë takime gjatë ditëve të festivalit, i cili do të mbyllet në datën 16, transmeton Koha.net.

Shfaqja e baletit “Xhuljeta pa Romeon” – që pati premierën në Prishtinë në muajin qershor- kishte zënë fill qysh kur koreografi austriak Darrel Toulon kishte ardhur për të realizuar shfaqjen e parë me Baletin Kombëtar të Kosovës “Your stories, my stories”.

Kur po realizonte shfaqjen që flet për dhimbjen e luftës, trazirat, arratisjen, dëbimin e shpresën, Darrel Toulon, i kishte lindur ideja për shfaqjen e dytë.

“Xhuljeta pa Romeon” shoqërohet edhe me nëntitullin “Dashuria pret përgjithmonë” dhe është e konceptuar si homazh për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Derisa në versionin e Toulonit, rrëfimi i tragjedisë më të famshme të dramaturgut anglez, William Shakespeare, shpaloset nëpërmjet një koreografie kontemporane, me tinguj muzikorë që kapërcejnë prej klasikes në muzikë akusmatike, kostume e skenografi të thjeshtë dhe interpretim plot përkushtim të balerinëve.



Lajme të ngjashme