“Shok” përfaqëson denjësisht Kosovën në Oscar

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se ndjehet krenar për përfaqësimin e filmit kosovar “Shok” në ndarjen e çmimeve OSCAR, mbrëmjen e djeshme.

“Shok” përfaqëson denjësisht Kosovën në Oscar

“Dua të ndaj ndjenjën e krenarisë që na dhuroi përfaqësimi dinjitoz i filmit “Shok" në Akademinë më prestigjioze të kinematografisë botërore. “Shok" i bëri Kosovës shumë shokë. Bota njohu dhe çmoi Kosovën për çka është. Një vend i mrekullueshëm, i njerëzve të talentuar. Faleminderit që i bëtë emër të mirë Kosovës", shkruan kryeministri Mustafa.

Ndërsa ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, uron aktorët, producentët, skenaristin njëherësh edhe regjisor dhe tërë ekipin e filmit “Shok" për suksesin e arritur duke garuar në ceremoninë më të rëndësishme të artit filmik “Oscars", ku pjesëmarrja e një projekti nga Kosova është një ngjarje historike për kinematografinë e Kosovës.

Suksesi i filmit “Shok" duke u nominuar dhe garuar deri në fund për çmimin e Akademisë së Arteve Filmike dhe Shkencave “Oscars", përbën lajmin e jashtëzakonshëm për kulturën dhe në tërësi vendin tonë, pasi shënon arritjen më të madhe të kinematografisë së Kosovës dhe dëshmon për cilësinë dhe talentin që posedojmë si vend, u shpreh ministri Shala.

Është hera e parë në histori që Kosova hyn në 'Academy of Motion Pictures Arts and Science' me filmin 'Shok', bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë. Në filmin me skenar dhe regji të Jamie Donoughue interpretojnë: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj. Asistente regjisore është regjisorja kosovare Blerta Basholli, ndërsa drejtor i fotografisë është skocezi Philip Robertson.

Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

“Shok" është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me producent Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.



Lajme të ngjashme