Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO

Kosova sot votohet për kandidaturën e pranimit në UNESCO nga Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate të OKB-së, në Paris, prej nga kryediplomati kosovar Hashim Thaçi jep mesazhin: “Të jemi aty ku meritojmë – të barabartë”.

395185
Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO

“Edhe pak orë na ndajnë nga vota e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Fushata jonë pozitive është përshëndetur nga shumë miq të Kosovës”, shpreht ai.

Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të votojë sot për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të OKB, ndërsa në fillim të nëntorit pritet që Asambleja e Përgjithshme e saj të votojë anëtarësimin përfundimtar. Një javë më parë, Bordi Ekzekutiv ka aprovuar axhendën përfundimtare, ku është përfshirë edhe anëtarësimi i Kosovës në organizatë, pikë kjo e bashkësponsorizuar nga 47 shtete anëtarë të UNESCO-s.

Për anëtarësim, Kosova aplikoi para pak më shumë se tre muajve, në 16 korrik.

“Sapo aplikuam për anëtarësi në UNESCO, agjencinë e OKB për arsim, shkencë dhe kulturë”, bënte të ditur zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. “Ky veprim vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s, që kemi zhvilluar vetëm këtë vit”, theksonte ai.

“Është ky një hap që fuqimisht zgjeron interaksionin tonë global”, vlerësonte kreu i diplomacisë së Kosovës.

Ndërsa, më pas kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se ishte njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO.

“Përgëzoj ministrin e Jashtëm, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një punë të madhe dhe me përkushtim”, shprehej ai.

“Në takime me liderë evropianë dhe botërorë kam marrë zotime se Kosova do të përkrahet fuqishëm në këtë proces. Jemi zotuar, po ashtu , se edhe ne do të përmbushim detyrimet tona ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ky është një zhvillim i rëndësishëm diplomatik për Kosovën”, theksonte Mustafa.

Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO, deklaronte në12 shtator Minsitria e Jashtme kosovare në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi i pyetur nga ATSH vlerësonte se Shqipëria kishte një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara.

“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s”, theksonte ai.

“Ambasadorja në delegacionin e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare ka luajtur një rol thelbësor. Ekipet tona, imi dhe i saj, kanë qenë të ngjizura, prej tre muajsh kemi kontakt ditor, madje gati çdo orë, sidomos në periudhën e fundit dyjavore, kur për shkak të mosqasjes së Kosovës në UNESCO, Shqipëria ka marrë një rol shumë aktiv të mbledhjes së nënshkrimeve”, shpreehej zv/ministi i Jashtëm kosovar, Selimi.

Më tej në deklaratën për ATSH, numri dy i MPJ-së kosovare për ambasadoren Kadare vlerësonte se është “një diplomate që ka emër, eksperiencë dhe reputacion të mirë, është zëvendëspresidente e Komitetit Ekzekutv dhe si e tillë mund të them se ka luajtur një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara”.

Zv/ministri Selimi shprehej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim gjatë verës përmes Nju Jorkut, sipas rekomandimeve nga vetë agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara.

“OKB-ja në Nju Jork ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj t’i prijë procesit në mënyrë të pavarur”, theksonte ai. Selimi bënte të ditur se drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova ka përcjellë më tej aplikimin e Kosovës në Boordin Ekzekutiv të UNESCO-s.

“Ky zhvillim ka hapur dyert që Kosova të futet në axhendën e Bordit Ekzekutiv”, theksonte ai duke shtuar se duhet shumica e thjeshtë për t’u votuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, në javën e parë të nëntorit, ku do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin në këtë agjenci të OKB-së.

Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO janë të angazhuara së bashku pozita dhe opozita kosovare. “Kosova ka vlera të panumërta që mund t’i ofrojë komunitetit ndërkombëtar”, shprehet AAK dhe fton qytetarët e Kosovës që, “të nënshkruajnë peticionin për pranimin e Kosovës në UNESCO, në mënyrë që zëri ynë të jetë më i fuqishëm se zëri i kundërshtarëve të këtij procesi”.

Ndërkohë, mbi tridhjetë media të shkruara, elektronike dhe online të Kosovës i kanë dërguar një letër drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, në mbështetje të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.

Letrën e kanë nënshkruar pronarë, kryeredaktorë apo gazetarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Kjo mbështetje e rëndësishme e komunitetit mediatik vjen pas angazhimit të një sërë institucionesh dhe personaliteteve me famë botërore të cilët i janë bashkuar aspiratës së shtetit kosovar për anëtarësim në UNESCO”, thekson MPJ e Kosovës.

“Ne vazhdimisht e vëzhgojmë punën e qeverive tona dhe jemi zëri kryesor kritik ndaj tyre kur ato dështojnë të japin rezultatet e duhura – qoftë në luftë kundër korrupsionit, reformën e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimit, apo në rritjen ekonomike… Që Kosova vërtetë të ketë sukses në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shoqëri të fortë, demokratike dhe të hapur, me respekt të plotë për liritë individuale dhe të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e patjetërsueshme të shprehjes, ne na duhen mundësi të barabarta. Dhënia e mundësive dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për të rinjtë tanë në arsim, shkencë dhe kulturë mund të jetë e dobishme për të gjithë. Kjo është arsyeja pse ne sot ju nxisim që të mbështetni kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, thuhet në letrën e mediave.

Sopranoja Inva Mula, këngëtarja Rita Ora dhe shkencëtari Ferid Murad janë vetëm disa nga figurat eminente globale që kanë shkruar kolumne ku kanë ftuar mbarë komunitetin ndërkombëtar për të përkrahur aderimin e Kosovës në në organizatën e Kombeve të Bashkuara UNESCO.

Kosova, shteti më i ri evropian, me pavarësinë e shpallur para shtatë vitësh, në 17 shkurtin historik 2008, deri tash është njohur nga mëse 110 vende anëtare të OKB-së.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme