SHBA – Tërhiqet rekomandimi i përdorimit të aspirinës nga personat mbi 60 vjeç

Një grup ekspertësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan mjekët që të mos u rekomandojnë aspirinë në dozë të ulët pacientëve të moshës mbi 60 vjeç që janë të rrezikuar nga ataku kardiak dhe paraliza.

1719002
SHBA – Tërhiqet rekomandimi i përdorimit të aspirinës nga personat mbi 60 vjeç

Grupi i quajtur Task-Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së, formuar nga ekspertë vullnetarë të pavarur, njoftoi se efektet anësore të përdorimit të aspirinës i tejkalojnë dobitë e saj, veçanërisht kur është fjalë për pacientët e moshuar që nuk kanë pasur ndonjëherë sulm në zemër ose goditje në tru.

Ekspertët në fjalë paralajmërojnë se aspirina mund të shkaktojë gjakderdhje dhe ulcera kërcënuese për jetën në sistemin tretës, madje edhe kur përdoret në doza të ulëta, për njerëzit e moshës 60 vjeç e sipër.

Task-Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së tha se do të tërhiqte gjithashtu rekomandimin e saj të vitit 2016 që personat e rrezikuar nga kanceri i zorrës së trashë të përdorin doza të ulëta të aspirinës.

Nga ana tjetër, u vlerësua se përdorimi parandalues ​​i aspirinës mund të jetë i dobishëm për njerëzit në të 40-at, të cilët s’janë të rrezikuar nga hemorragjia, ndërkohë që kjo dobi është më e ulët për personat në të 50-at.

Kurse pacientëve që kanë pësuar atak kardiak më parë, iu rekomandua të vazhdojnë përdorimin e aspirinës në doza të ulëta.

E njohur gjerësisht si analgjetik (bar vrasës ose qetësues i dhimbjes) dhe hollues gjaku, aspirina rekomandohej në një dozë të ulët prej 81-100 mg për të parandaluar mpiksjen e gjakut tek personat e rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare dhe goditjet në tru.



Lajme të ngjashme