Kanada – Mbërrin dërgesa e parë me vaksinën Pfizer-BioNtech

Në Kanada ka mbërritur dërgesa e parë me vaksinën e prodhuar nga kompanitë Pfizer-BioNtech kundër koronavirusit të llojit të ri (Covid-19), njoftoi Kryeministri Justin Trudeau.

1545038
Kanada – Mbërrin dërgesa e parë me vaksinën Pfizer-BioNtech

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau në një postim që ka bërë nga llogaria e tij në median sociale ka njoftuar mbërritjen në Kanada të dërgesës së parë me 30 mijë doza.

“Ky është një lajm i mirë. Vetëm se lufta jonë kundër Covid-19 nuk ka mbaruar. Tani duhet të vazhdojmë të jemi më shumë vigjilentë se asnjë herë tjetër”,- shkruan Kryeministri Trudeau në postimin që ka bërë në «Twitter», të cilin e shoqëron edhe me një fotografi nga shkarkimi i vaksinave nga avioni i ngarkesave që zbriti në aeroportin ndërkombëtar “Mirabel” në Montreal.

Vaksinat “Pfizer-BioNtech” do të dërgohen në 14 qendra që janë ngritur në 10 shtete në mbarë vendin me qëllim shpërndarjen e tyre.

Transporti i vaksinës në Kanada do të vazhdojë nga dita e sotme (e hënë, 14.12.2020) dhe parashikohet që vaksinimet e para të nisin në shtetin Quebec.

Autoritetet njoftojnë se grupi prioritar në fazën e parë të vaksinimit do të jetë grupmosha 60 dhe më e madhe se 60 vjeç, kështu që procesi i vaksinimit do të nisë në orët e para të ditës së sotme me banorët e dy shtëpive për të moshuar në shtetin Quebec.

Deri në mars të vitit të ardhshëm Kanadaja do të blejë mbi 4 milionë doza nga vaksina anti-Covid që është zhvilluar nga bashkëpunimi Pfizer-BioNtech.

 


Lajme të ngjashme