Kuzhina Turke - Supë dasme

Receta e një supe që ka mbetur trashëgimi që prej periudhës osmane dhe është gatuar në ditë të veçanta me në krye dasmat.

Kuzhina Turke - Supë dasme

Receta nga kuzhina turke – Supë dasme

Një shkrimtar shkruan se “Nëse ka supë në shtëpi, atëherë çdo gjë është në rregull”. Supa është një gatim që edhe është shëruese edhe përgatitet lehtë. Ajo ka edhe një të shkuar shumë shumë të hershme. Nga tekstet e lashta të hititëve dihet se njerëzit gatuanin supë dhe gatuanin grurin, qepën, bizelet, qiqrat e thjerrëzat me mish dhe i konsumonin ato në formën e supës. Kurse në Greqinë e Lashtë gatuhej supë me bizele dhe bishtaja të njoma.  

Edhe në Perandorinë Osmane supa ka pasur gjithmonë një vend të veçantë. Edhe në kuzhinën e sarajeve, edhe në kuzhinën e popullit supa hahej të paktën një vakt në ditë dhe për përgatitjen e saj përdoreshin shumë përbërës të ndryshëm. Bajamet, bathët, gështenjat, agrumet, kajsitë janë vetëm disa prej përbërësve në fjalë. Shumë prej supave që gatuheshin me këta ingredientë nuk zënë më vend në kuzhinën turke. Por ka një supë të atillë, që ka mbetur trashëgimi prej periudhës osmane, që është ende edhe sot e kësaj dite kurorë e kuzhinës turke. Emri i kësaj çorbe që gatuhet me mish qengji dhe bëhet për ditë të veçanta, me në krye dasmat, është supë dasme (düğün çorbası). Në programin e kësaj jave do të ndajmë me ju recetën e supës së dasmës. 

Si fillim le të radhisim harxhet që na nevojiten për gatimin e supës;

  • 500 gram mish nga qafa e qengjit (gjerdani i qengjit)
  • 6 gota ujë (për të zier mishin)
  • 3 lugë gjelle gjalpë
  • 2 lugë gjelle miell me majë
  • 3 gota ujë me lëng mishi
  • 3 gota uji me ujë
  • Kripë
  • Piper i zi
  • 4 lugë gjelle me kos
  • Lëngu i gjysmë limoni
  • 1 e verdhë veze
  • 1 lugë gjelle gjalpë (për tu përdorur gjatë shërbimit të supës)
  • Piper i kuq (pluhur)

Tani vjen radha e përgatitjes. Si fillim mishin dhe 6 gotat e ujit i vëmë në një tenxhere në zjarr dhe i lëmë të zien. Pasi të ketë filluar të ziej uji, e ulim zjarrin dhe e lëmë të zihet me zjarr të mesëm me kapak gjysmë të mbyllur. Pasi mishi të jetë zier mirë, e kullojmë duke e ruajtur lëngun e mishit në një tas më vete. Pasi të jetë ftohur mishi e pastrojmë atë nga kockat dhe e ndajmë në copa copa të vogla.  

Gjalpin dhe miellin e kaurdisim lehtë në një tenxhere. Duke e trazuar ngadalë ngadalë i shtojmë 3 gota lëngu të mishit që veçuam më parë dhe 3 gota uji me ujë. Pas kësaj i shtojmë edhe mishin që e kemi copëtuar.

Në një tas më vete trazojmë kosin, të verdhën e vezës dhe lëngun e limonit. Duke marrë një garuzhde nga lëngu i supës që përgatitëm ja shtojmë avash avash përzierjes që bëmë pak më parë duke e marinuar atë dhe pasi të kemi përfunduar këtë proces ia shtojmë tenxheres së supës përsëri ngadalë ngadalë në mënyrë që veza të mos pritet. Pas kësaj i shtojmë kripën edhe e ziejmë për një kohë shumë të shkurtër. Në një tigan të vogël më vete skuqim një lugë gjalpë dhe i shtojmë piperin e kuq pluhur duke e përgatitur kështu për shërbim në gjendje të ngrohtë.

Ju bëftë mirë!

 

 


Lajme të ngjashme