OKB: 70 mijë persona në nevojë urgjente për ushqim e ujë të pijshëm në Bahama

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi të mërkurën se 70 mijë persona kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pijshëm dhe të tjera ndihma humanitare në Ishujt Bahama të prekura nga uragani “Dorian”.

OKB: 70 mijë persona në nevojë urgjente për ushqim e ujë të pijshëm në Bahama

Nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe koordinator i Ndihmave Emergjente, Mark Lowcock, i cili realizoi një vizitë në Bahama dhe inspektoi zonat e goditura nga uragani, u prononcua gjatë një telekonference para gazetarëve mbi shkatërrimin kolosal të shkaktuar nga stuhia.

Duke tërhequr vëmendjen se “Dorian” është uragani më i madh që ka goditur Bahamat ndonjëherë dhe se rajoni nuk është ballafaquar kurrë më parë me një fatkeqësi natyrore të këtyre përmasave, Mark Lowcock tha se “70 mijë persona kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pijshëm dhe të tjera ndihma humanitare”.

Kurse ministri i Shëndetësisë së Ishujve Bahama, Duane Sands, bëri me dije se bilanci i viktimave të uraganit është rënduar duke arritur në 20, nga 7 që ishte njoftuar një ditë më herët.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga një rritje e mundshme e numrit të viktimave”, theksoi ai.

Nga ana e tij, Kryeministri Hubert Minnis vuri në pah se 60 për qind e objekteve në portin e Marshit dhe përreth tij kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

Uragani “Dorian”, i cili mbetet ende një kërcënim edhe pse ka rënë tashmë në një stuhi të kategorisë së dytë, ka mbërritur tashmë në Florida dhe pritet që gjatë ditës së enjte dhe të premte të zhvendoset në brigjet juglindore duke prekur shtetet e Xhorxhias, Karolinës së Jugut dhe të Veriut.

Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) në SHBA paralajmëroi të mërkurën se “Dorian” ka rënë në kategorinë e dytë, por vazhdon të karakterizohet nga erëra shumë të fuqishme me shpejtësi deri në 177 kilometra në orë, të cilat mund të shkaktojnë vërshime e përmbytje.



Lajme të ngjashme