Shkencëtarët turq zhvillojnë teknologji që diagnostikon kancerin nga temperatura trupore e njeriut

Akademikët turq kanë zhvilluar një teknologji të re që mund të diagnostikojë sipas vlerave të temperaturës trupore nëse qelizat tumorale janë kanceroze ose jo.

Shkencëtarët turq zhvillojnë teknologji që diagnostikon kancerin nga temperatura trupore e njeriut

Teknologjia e re, e cila konsiderohet një alternativë e metodave klasike të diagnostikimit të kancerit si mamografia dhe ultrasonografia, është pajisur me patentë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithashtu është përfshirë në literaturë.

Prof. dr. Nevzat Gençer, anëtar i Katedrës së Inxhinierisë Elektrike dhe Elektronike të Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme (ODTU-METU) në Ankara, ka bërë me dije se grupi shkencor nën drejtimin e tij ka arritur të zhvillojë një teknologji të re, e aftë të japë një diagnozë të hershme të indeve kanceroze duke monitoruar luhatjet e temperaturës së trupit të njeriut me anë të kamerave me rreze infra të kuqe, të cilat përdoren gjerësisht në industrinë e mbrojtjes.

“Ekzistojnë vështirësi në konstatimin e indeve kanceroze të thella dhe me përmasa të vogla përmes monitorimit konvencional termal duke përdorur kamera me rreze infra të kuqe. Ne zhvilluam me një metodë origjinale një teknologji që do të kapërcejë këtë sfidë”, ka thënë prof. Gençer duke tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e identifikimit - mundësuar tashmë nga kjo teknologji e re - të indit kanceroz me vëllim 3 mm3 në 3 cm thellësi, sidomos në diagnostikimin e kancerit të gjirit.

Pasi ka sqaruar se furnizimi më i madh me gjak i indeve tumorale bën që tiparet e indeve të ndryshojnë dhe për këtë arsye vërehen gjithashtu dallime të përcjellshmërisë elektrike në atë zonë, akademiku turk ka potencuar se duke u nisur nga ky realitet, ekipi i tij ka zhvilluar teknologjinë në fjalë me “rrymë elektrike dhe kamera infra të kuqe”.



Lajme të ngjashme