Rifitimi i mbetjeve të vajrave me origjinë bimore

Vajrat me origjinë bimore nuk duhen hedhur, pasi shkaktojnë ndotje të ujit dhe vështirësojnë përpunimin e tij, por duhen mbledhur për të prodhuar karburantin “biodizel”.

Rifitimi i mbetjeve të vajrave me origjinë bimore

Në Turqi në vit mesatarisht krijohen rreth 350.000 ton mbetje vajrash. Këto mbetje vajrash kur derdhen në ujë apo në kanalet e ujërave të zeza mbulojnë sipërfaqen e ujit dhe pengojnë kalimin e oksigjenit nga ajri në ujë. Këto mbetje me kalimin e kohës prishen në ujë dhe përshpejtojnë konsumimin e oksigjenit që gjendet në ujë dhe shkaktojnë ngushtimin e tubacioneve të ujërave të zeza. Vajrat përbëjnë 25% të ndotjes së ujit të përdorur dhe vështirësojnë edhe përpunimin e ujërave të ndotura (të zeza). Mbërritja dhe përzierja e këtyre ujërave me detin, lumenjtë dhe me liqenet dëmton llojet e gjallesave që jetojnë këtu. 

Kurse hedhja e mbetjeve të vajrave me origjinë bimore në bidonët e plehrave shkakton probleme të tjera. Mbetjet e vajrave që derdhen në plehra bëhen shkak i ndezjes së zjarrit në vendet ku bëhet grumbullimi i plehrave dhe mbeturinave. Ndërsa mbetjet e vajrave që përzihen me tokën në këto hapësira ndotin nëntokën dhe ujërat nëntokësore. 

Për të parandaluar dëmet që i shkaktojnë mjedisit mbetjet e vajrave duhet që vaji i përdorur për skuqje të mos derdhet në koshin e plehrave apo në lavaman, ai duhet mbledhur veçmas në enë të pastra dhe të mbyllura. Me riciklimin e këtyre vajrave prodhohet karburanti i quajtur “biodizel”. Biodizel është një karburant i ripërtëritshëm që përfitohet nga vajrat e shfrytëzuara me origjinë bimore dhe shtazore dhe që përdoret në motorët dizel. Me përdorimin e mbetjeve të vajrave me origjinë bimore dhe shtazore që rifitohen veçanërisht vitet e fundit parandalohet në një raport të madh dëmi që shkaktojnë në mjedis si mbetjet e vajrave, ashtu edhe karburantet fosile. Përdorimi i një ton biodizeli redukton me 3 ton emetimin e dyoksidit të karbonit. 

Grumbullimi i vajrave të përdorura dhe transportimi i tyre në vendet e duhura ligjërisht duhet bërë pa pagesë. Për të grumbulluar mbetjet e vajrave të mbledhura mund të merret informacion nga njësitë përkatëse të bashkive e komunave.



Lajme të ngjashme