Brexit - Përfundon tranzicioni, lëvizja e lirë

Me përfundimin e periudhës së tranzicionit, liria e lëvizjes midis Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve anëtare të BE-së ka përfunduar që në mesnatë.

1555837
Brexit - Përfundon tranzicioni, lëvizja e lirë

Një epokë e re në marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian (BE) ka filluar pasi me Vitin e Ri përfundoi periudha 11-mujore e tranzicionit të Brexit-it.

Me përfundimin e periudhës së tranzicionit, liria e lëvizjes midis Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve anëtare të BE-së që në mesnatë ka përfunduar.

Ministri i qeverisë britanike, Michael Gove, tha se do të ketë "momente të lëkundshme" derisa Britania të mësohet me rregullat e reja të BE-së.

"Jam i sigurt se do të ketë momente të lëkundshme, por ne do të jemi atje në mënyrë që të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për të zbutur shtegun. Natyra e marrëdhënies sonë të re me BE-në, jashtë Tregut të Vetëm dhe Unionit Doganor, do të thotë se ka ndryshime praktike dhe procedurale për të cilat bizneset dhe qytetarët duhet të bëhen gati", tha Gove.

Ai theksoi se do të ketë disa "përçarje" përderisa vendi i tij të përshtatet me mënyrat e reja të të bërit biznes me BE-në, duke shtuar se me rëndësi është që të gjithë të ndërmarrin veprimet e nevojshme tani.

Fundi i lëvizjes së lirë

Qytetarët britanikë do të mund të vizitojnë pa viza deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore shumicën e vendeve anëtare të BE-së, përfshirë edhe Islandën, Lihtenshtajnin, Zvicrën dhe Norvegjinë, por ata do të duhet të vërtetojnë se kanë para të mjaftueshme për qëndrimin e tyre. Ata po ashtu do të duhet të vërtetojnë kthimin ose biletën e tyre të kthimit në hyrje.

Qytetarët e BE-së po ashtu do të kenë të drejtat e njëjta kur të vizitojnë Mbretërinë e Bashkuar.

Qytetarët britanikë vizitat në Irlandë do t'i vazhdojnë ashtu sikurse më parë.

Britanikët që planifikojnë të transferohen në vendet e BE-së pas 1 janarit do të duhet të aplikojnë për qëndrim në përputhje me rregullat e imigracionit të vendeve anëtare pasi e drejta automatike për të jetuar dhe punuar në BE për britanikët ka përfunduar.

Gjilbraltari, një territor britanik përtej detit, do të trajtohet si një zonë Shengen sipas një marrëveshjeje të arritur nga Spanja dhe Britania e Madhe.

Tregtia

Pasi Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja nënshkruan një marrëveshje tregtare pas Brexit-it gjatë periudhës së Krishtlindjes, tregtia pritet të vazhdojë pa ndërprerje.

Irlanda e Veriut do të mbetet në linjë me BE-në për katër vitet e ardhshme sipas Marrëveshjes së Tërheqjes nga BE-ja që palët nënshkruan, kështu që tregtia midis BE-së dhe Irlandës së Veriut do të mbetet si më parë.

Fundi i periudhës së tranzicionit shënon përfundimin e Brexit-it.

Votuesit britanikë në një referendum në vitin 2016 vendosën të largohen nga blloku evropian pas më shumë se 40 vite anëtarësim.

Negociatat e gjata dhe të përpikta përfunduan me një Marrëveshje të Tërheqjes gati një vit më parë dhe periudha e tranzicionit filloi më 31 janar të vitit 2020. (Agjencia Anadolli - AA)

 


Lajme të ngjashme