Liderët e BE-së arrijnë marrëveshjen për paketën e shpëtimit

Liderët e BE-së ranë dakord për fondin e rimëkëmbjes nga koronavirusi i ri (COVID-19) prej 750 miliardë eurosh dhe buxhetin afatgjatë të bllokut pas katër ditësh bisedimesh maratonike në Bruksel.

1458837
Liderët e BE-së arrijnë marrëveshjen për paketën e shpëtimit

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) kanë arritur një marrëveshje historike sot herët për ndarjen e një fondi të rimëkëmbjes nga koronavirusi i ri (COVID-19) prej 750 miliardë eurosh dhe për buxhetin afatgjatë të bllokut prej 1 trilionë eurosh pas katër ditësh bisedimesh maratonike në Bruksel.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charls Michel dhe Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi pas samitit të liderëve të BE-së në Bruksel.

“Ia dolëm. Arritëm marrëveshjen për paketën e shpëtimit dhe buxhetin. Buxheti i ardhshëm 7-vjeçar do të jetë 1 trilionë e 74 miliardë euro”,- tha Michel.

“Kemi që të premten që po zhvillojmë negociata të vështira. Negociuam më shumë gjëra se paraja. Marrëveshja e arritur është një moment i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës”, shtoi ai.

“Kjo është hera e parë në historinë e Evropës që buxheti kushtëzohet nga objektivat klimatike, ku sundimi i ligjit është një kriter përcaktues dhe ku janë ndërmarrë hapa në drejtim të kapitaleve të veta”,- nënvizoi Michel.

Kurse Kryetarja e Komisionit Evropian (KE), Von der Leyen pasi njoftoi arritjen e marrëveshjes për buxhetin dhe programin e rimëkëmbjes pas Covit-19 tha: “Kjo është një paketë e paparë, në shumën totale 1,8 trilionë euro dhe në përputhje me prioritetet e BE-së”. 

Duke rikujtuar negociatat që zgjatën 4 ditë e 4 netë, Von der Leyen bëri këtë vlerësim: “Jemi në një moment historik për Evropën. 27 vende anëtare treguan solidaritet dhe paketa u miratua”.

Sipas paketës në fjalë Komisioni Evropian do të autorizohet për të marrë borxhe nga tregjet e kapitalit.

Me këtë autorizim dhe garancinë e ofruar nga buxheti i BE-së do të sigurohet një fond me vlerë totale 750 miliardë euro për programin e rimëkëmbjes.

Nga këto 390 miliardë euro do të jenë grante dhe 360 miliardë euro do të jepen në formën e kredisë.

Buxheti i BE-së për vitet 2021-2027 do të kapë shifrën e 1 trilion e 74 miliardë eurove.

Vendet anëtare do të kontribuojnë në buxhet në raportin 1,4% e të ardhurave të tyre kombëtare.



Lajme të ngjashme