“Thomas Cook” falimenton edhe në Gjermani

Pas njoftimit të falimentimit të operatorit turistik britanik, “Thomas Cook”, falimentim ka kërkuar edhe dega e kësaj kompanie në Gjermani, “Thomas Cook GmbH”.

“Thomas Cook” falimenton edhe në Gjermani

Stefanie Berk, kryetarja e bordit drejtues të “Thomas Cook GmbH”, tha në një deklaratë se edhe pse dëshironin të shmangnin hapin gjyqësor, kompania nuk arriti zgjidhje afatshkurtër përmes negociatave dhe në këtë mënyrë u detyrua që të parashtrojë në gjykatë kërkesën për falimentim.

“Thomas Cook GmbH” rikujtoi në një njoftim se 140 mijë persona gjenden në pushime me “Neckermann”, “Öger Tur”, “Air Marin” dhe “Buchen” duke shtuar se janë në kontakt me Ministrinë e Jashtme gjermane dhe kompanitë e sigurimeve për kthimin e këtyre personave.

Kompania “Thomas Cook GmbH” nuk ka marrë përgjigje në kërkesën e saj për kredi, edhe pse degës tjetër të kompanisë në Gjermani, “Condor”, i është ofruar mbështetje shtetërore.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të hënën falimentimin e sipërmarrjes “Thomas Cook”, një prej më të mëdhave në botë për organizimin e pushimeve, pas dështimit të negociatave për shpëtimin e operatorit, ndërsa më pas u fillua një aksion për kthimin e mbi qindra-mijëra shtetasve britanikë nga shumë vende, përfshirë edhe Turqinë.



Lajme të ngjashme