Eurostat: Evropianët preferojnë të udhëtojnë në vendet e tyre

Çdo 3 në 4 rezidentë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian preferojnë vendin e tyre për udhëtimet që bëjnë për turizëm ose arsye tjera.

Eurostat: Evropianët preferojnë të udhëtojnë në vendet e tyre

Sipas raportit të fundit të Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat), në vitin 2017 banorët e BE-së kanë bërë 1,3 miliardë udhëtime me rreth 6,4 miliardë akomodime natën. Kohëzgjatja mesatare e një udhëtimi është përcaktuar të jetë 5,1 net. Udhëtimi i banorëve të BE-së në vitin 2017 është rritur me 4 për qind në krahasim me një vit më parë.

Plot 73 për qind e rezidentëve të BE-së i bëjnë udhëtimet në vendet ku jetojnë, ndërsa 27 për qind jashtë shtetit. Prej udhëtimeve jashtë shtetit, 21 për qind bëhen në vendet e tjera të BE-së dhe 6 për qind jashtë Unionit.

Rezidentët e BE-së 49 për qind të udhëtimeve të tyre i bëjnë për pushime, 35 për qind për të vizituar të afërm, miq dhe shokë, 12 për qind për qëllime biznesi dhe 4 për qind për arsye të tjera.

Në kuadër të udhëtimeve të bëra, në më shumë se gjysmën e rasteve prej 6,4 miliardë netëve që banorët e BE-së kanë kaluar jashtë, është preferuar akomodimi me qira. Nga këto, 32 për qind janë hotele ose vende të ngjashme, 17 për qind shtëpi pushimi dhe banesa, ndërsa 6 për qind zona kampesh.

Rumania zuri vendin e parë në mesin e shteteve të BE-së ku udhëtimet janë bërë kryesisht brenda vendit me 95 për qind, pas së cilës erdhi Spanja me 91 për qind, Portugalia me 89 për qind, Greqia me 88 për qind, Franca me 87 për qind dhe Bullgaria me 86 për qind.

Nga ana tjetër, rezidentët e Luksemburgut janë të parët me 98 për qind që preferuan të udhëtojnë jashtë vendit. Luksemburgu u ndoq nga Belgjika me 80 për qind, Malta me 68 për qind dhe Sllovenia me 62 për qind.

Në udhëtimet brenda dhe jashtë vendit u përdorën kryesisht mjetet motorike private ose me qira, me 64 për qind.

Sa u përket shëtitjeve turistike, Franca ishte vendi i parë në BE me 15 për qind, ku treni rezultoi mjeti transportues më i preferuar. Pas saj vjen Gjermania me 14 për qind. Treni është përdorur më pak në Greqi e Slloveni me 1 për qind dhe në Bullgari e Kroaci me 2 për qind.

Vendin e parë për udhëtimet detare e zuri Malta me 37 për qind dhe të dytin Greqia me 17 për qind.

Autobusi rezultoi mjeti më i preferuar i udhëtimit në Rumani dhe Kroaci, me 19 për qind.



Lajme të ngjashme