Gjermani – “Deutsche Bank” dhe “Commerzbank” heqin dorë nga bashkimi

Dy bankat më të mëdha të Gjermanisë, “Deutsche Bank” dhe “Commerzbank”, njoftuan të enjten se kanë vendosur të heqin dorë nga bisedimet për shkrirjen e tyre në një kompani të vetme.

Gjermani – “Deutsche Bank” dhe “Commerzbank” heqin dorë nga bashkimi

“Pas analizës së hollësishme, ky afrim nuk do të kishte krijuar përfitime të mjaftueshme për të kompensuar rreziqet, kostot e ristrukturimit dhe kapitalin e nevojshëm, elementë bazë nga një shkrirje e tillë”, njoftoi “Deutsche Bank” përmes një komunikate të shkruar shumë të ngjashme me atë të “Commerzbank”.

“Deutsche Bank do të vazhdojë të shikojë të gjitha alternativat për të rritur fitimet afatgjata dhe për të siguruar një kthim të mirë ndaj aksionarëve”, thuhet më tej në komunikatë, ku jepen gjithashtu të dhënat financiare të bankës për tremujorin e parë të vitit 2019.

Bazuar në të dhënat e sipërcituara, “Deutsche Bank” pret që të ardhurat totale në çerekun e parë të këtij viti të jenë 6,4 miliardë euro, kurse fitimi neto 200 milionë euro.

Në komunikatë theksohet po ashtu se rezultatet financiare në fjalë do të shpallen ditën e premte.

Teksa vazhdojnë të rriten shqetësimet mbi të ardhmen e “Deutsche Bank”, e cila zotëron pjesën e luanit në tregun bankar të Gjermanisë, në mes të muajit të kaluar u njoftua se “Deutsche Bank” dhe “Commerzbank” po zhvillonin bisedime paraprake për shkrirjen e tyre në një kompani të vetme, iniciativë e filluar për të krijuar një gjigant bankar gjerman.

Kurse sipas guvernatorit të “Commerzbank”, Martin Zielke, marrja në konsideratë e opsionit të konsolidimit gjerman sesa bashkimit me një bankë të huaj, kishte kuptim, por me kushtin që të ishte fitimprurës.

Megjithatë projekti në fjalë, i mbështetur në fshehtësi nga shteti gjerman, i cili zotëron 15% të aksioneve të “Commerzbank”, nxiti që prej fillimit skepticizmin e investitorëve dhe kundërshtimin e sindikatave të dy grupeve, pasi rreziku për punësimin ishte i lartë.



Lajme të ngjashme