Aliyev: Mbi 1 miliard m3 gaz natyror është transmetuar drejt Turqisë përmes TANAP-it

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, bëri me dije të mërkurën se mbi 1 miliard m3 gaz natyror është transmetuar drejt Turqisë përmes Tubacionit Transanadollas të Gazit Natyror (TANAP).

1149303
Aliyev: Mbi 1 miliard m3 gaz natyror është transmetuar drejt Turqisë përmes TANAP-it

Ilham Aliyevi mbajti një fjalim në Takimin 5. Ministror të Këshillit Konsultativ të Korridorit Jugor të Gazit (SCG), organizuar në kryeqytetin Baku të Azerbajxhanit.

Ai sqaroi se kanë përfunduar 3 etapa të Korridorit Jugor të Gazit, i cili formohet nga fusha gazmbajtëse Shahdeniz 2, Tubacioni i Kaukazit Jugor (SCP), Tubacioni Transanadollas i Gazit Natyror dhe Gazsjellësi Transadriatik (TAP).

“Kurse ndërtimi i etapës së fundit, e cila është TAP-i, ka arritur në nivelin 85 për qind”, theksoi ai duke shtuar se projekti është duke shënuar sukses falë punës në skuadër.

Lideri azerbajxhanas rikujtoi se vitin e kaluar kanë realizuar përurimin e Korridorit Jugor të Gazit në vendin e tij dhe atë të TANAP-it në Turqi.

“Jemi të kënaqur që projekti u jetësua. Përmes TANAP-it, drejt Turqisë është transmetuar mbi 1 miliard m3 gaz natyror. Ndërsa projekti TAP do të përfundojë vitin e ardhshëm”, deklaroi Aliyevi duke tërhequr vëmendjen se gazi azerbajxhanas është burim i ri për tregun energjetik evropian, ndërsa Korridori Jugor i Gazit është njëherësh projekt i sigurisë energjetike.

Presidenti i Azerbajxhanit potencoi se pa sigurinë energjetike është shumë e vështirë të garantohet edhe siguria kombëtare.

Sipas tij, pjesa kryesore e gazit natyror që Azerbajxhani eksporton, nxirret nga fusha gazmbajtëse Shahdeniz.

Megjithatë – vijoi ai – Azerbajxhani ka 2,3 trilionë m3 rezerva gazi të vërtetuara, por aktivitete zbulimi po bëhen gjithashtu në fusha gazmbajtëse të tjera, ku një potencial të madh mund të kenë sidomos Absheroni, Umidi dhe Babeku.

Duke vënë në pah se projektet energjetike ofrojnë kontribut edhe për bashkëpunimet në fusha të tjera, Aliyevi tha se vendi i tij i kanalizon të ardhurat nga nafta dhe gazi natyror në projekte të tjera, të cilat sjellin përfitime shtesë.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm anëtarë të qeverive nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjeorgjia, Bullgaria, Italia, Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Greqia, Serbia, San-Marinoja, Rumania, Turkmenia, Bosnjë-Hercegovina dhe Hungaria, Turqinë e përfaqësoi ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez.



Lajme të ngjashme