Kosovë – FMN-ja rekomandon shqyrtimin e projektligjit për pagat

Me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, ministri i Financave Bedri Hamza dhe shefja e Misionit të FMN-së për Kosovë Stephanie Eble mbajtën konferencë për mediat...

Kosovë – FMN-ja rekomandon shqyrtimin e projektligjit për pagat

Me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, ministri i Financave Bedri Hamza dhe shefja e Misionit të FMN-së për Kosovë Stephanie Eble mbajtën konferencë për mediat.

Ministri Hamza tha se me FMN-në kanë qenë tema të diskutimit projektbuxheti 2019 dhe ecuria e buxhetit të vitit 2018.

“Sa i përket buxhetit 2019 e kemi diskutuar në detaje, për pagat deri te bilanci bankar. Situata aktuale makrofiskale na bën mjaft të kujdesshëm. Kosova ka stabilitet makrofsikal dhe është në pozitë të mirë fiskale”, tha Hamza.

Sipas tij, projektbuxheti për vitin 2019 është bazuar në rritjen ekonomike, ndërsa më tej ka paralajmëruar rritje të pensioneve.

Ndërsa FMN-ja pati disa shqetësime për projektbuxhetin 2019.

Shefja e Misionit të FMN-së, Eble, tha se presin rritje ekonomike në 4%, që sipas saj është rritja më e lartë në rajon.

Mirëpo, shtoi ajo - përsëri mbetet një rritje e cila nuk e zë hapin e zhvillimit të vendeve në rajon.

“Kemi disa shqetësime për projektbuxhetin për vitin 2019, për të hyrat dhe fondin për veteranët. Nga ana e shpenzimeve për kategoritë sociale duhet të vazhdojë reforma”, theksoi Eble duke nënvizuar se projektligji për pagat duhet të rishqyrtohet, pasi nuk trajton çështjen “Punë të barabartë për pagë të barabartë”.

Ajo tha se sektori bankar duhet të përmirësohet edhe më tej për kredidhënie.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha me këtë rast se sektori financiar vazhdon të ketë rritje.



Lajme të ngjashme