Heiko Maas: Evropa dëshiron një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Turqi

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, deklaroi të martën se Bashkimi Evropian dëshiron të shohë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Turqi...

Heiko Maas: Evropa dëshiron një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Turqi

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, deklaroi të martën se Bashkimi Evropian dëshiron të shohë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Turqi.

Duke folur përpara përfaqësuesve të biznesit gjerman dhe ambasadorëve të vendit të tij në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin, Heiko Maas kritikoi sanksionet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe politikën e tij të presionit ekonomik ndaj Turqisë.

Pasi rikujtoi se SHBA-ja implementoi pak kohë më parë sanksione dhe tarifa doganore shtesë ndaj Turqisë, shefi i diplomacisë gjermani vijoi me këto fjalë: “Sigurisht që ne evropianët kemi një interes të madh për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Turqi.”

Kohët e fundit – sqaroi Maas – sistemi ekonomik i bazuar në rregulla është vënë në pyetje dhe nga kjo po ndikohet edhe Gjermania, një shtet me ekonomi të hapur të tregut.

“Më shumë arritje realizohen duke qenë të hapur, jo me proteksionizëm. Kjo vlen si për aspektin politik ashtu edhe për atë ekonomik”, vlerësoi ai.

Kryediplomati gjerman nënvizoi se është fare e qartë që proteksionizmi po ushtrohet përmes tarifave doganore shtesë.

“Tarifat doganore dhe kuotat duhet të jenë objekt i negociatave dhe jo të përdoren si mjete ndëshkimi për vendet e tjera”, u shpreh Maas.

Më tej, ministri i Jashtëm i Gjermanisë u ndal mbi sanksionet amerikane ndaj Kinës.

“Konflikti tregtar ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Popullore të Kinës jo vetëm që na shqetëson, por na godet”, potencoi ai.

Heiko Maas tërhoqi vëmendjen se disa kompani duan të tërhiqen nga Irani për shkak të largimit të SHBA-së nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), njohur më gjerësisht si marrëveshja bërthamore me Teheranin, si dhe të sanksioneve që Uashingtoni ka njoftuar se do të aplikojë ndaj këtij vendi.

Megjithatë – shtoi ministri i Jashtëm gjerman – ne do të ndihmojmë me sa të kemi mundësi kompanitë që duan të vazhdojnë aktivitetet e tyre në Iran.

Sa u përket sanksioneve amerikane që prekin gjithashtu tregtinë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Rusisë, Maas theksoi se janë të papranueshme tentativat për të influencuar politikat energjetike evropiane nëpërmjet sanksioneve.

Tjetër pikë e rëndësishme e fjalimit të tij drejtuar ambasadorëve dhe përfaqësuesve të biznesit gjerman ishte ajo në lidhje me kërcënimet e Donald Trumpit kundër prodhuesve gjermanë të automobilave.

“Makinat gjermane s’janë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Automobilat gjermanë i bëjnë rrugët e Amerikës shumë herë më të sigurta”, komentoi Maas.

Ai insistoi se Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar kundër zhvillimeve në fjalë dhe shtoi se “Evropa do të ketë peshë vetëm nëse flet njëzëri”.

Sipas tij, kjo u vërtetua në takimin që Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, realizoi në fund të muajit korrik me Presidentin amerikan, Donald Trump, në lidhje me tarifat doganore shtesë për importet e çelikut dhe aluminit nga vendet e BE-së.

Në fund, Heiko Maas theksoi se do të vizitojë Turqinë javën e ardhshme për të takuar zyrtarë të qeverisë turke dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit ekonomike.

Ministri i Jashtëm gjerman është planifikuar të bëjë një vizitë dyditore në Turqi më 5 dhe 6 shtator, përpara vizitës kyçe të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Berlin, më 28 dhe 29 shtator.

Marrëdhëniet politike ndërmjet Ankarasë dhe Berlinit kanë pësuar pengesa gjatë dy viteve të kaluara, por në tre muajt e fundit dhe sidomos në korrik e gusht të këtij viti të dyja palët kanë ndërmarrë hapa drejt përmirësimit të raporteve.

Gjermania është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Turqisë. Më shumë se 7.500 kompani gjermane janë aktive në Turqi. Në vitin 2017, vëllimi tregtar dypalësh arriti në 37,6 miliardë euro apo 43,6 miliardë dollarë.



Lajme të ngjashme