Cipras: Greqia ka rifituar të drejtën për të vendosur mbi fatin e saj

Në lidhje me daljen e Greqisë nga programi i paketës së shpëtimit Kryeministri Alexis Tsipras tha se "Vendi ynë ka rifituar të drejtën për të vendosur mbi fatin dhe të ardhmen e tij si një vend normal i Evropës pa pasur nevojë për presione dhe sakrifica.

Cipras: Greqia ka rifituar të drejtën për të vendosur mbi fatin e saj

Kryeministri Cipras gjatë një fjalimi në Ishullin Ithaka (Kefalonia), që ka një rëndësi simbolike në mitologjinë greke, e ka cilësuar si "një ditë historike" përfundimin zyrtarisht më 20 gusht të programit për paketën e shpëtimit.

"Kemi humbur 25 për qind të të ardhurave tona kombëtare, 3 në çdo 10 persona dhe 6 nga 10 të rinj mbetën pa punë. Është zbatuar një masë shtrënguese prej 65 miliardë eurosh", tha Cipras.

Duke vënë në dukje se i kanë lënë pas masat shtrënguese dhe rënien ekonomike, Tsipras tha se nuk do të harrojnë se për shkak të kujt dhe për çfarë arsyesh kanë qenë të detyruar të përballen me kriza financiare dhe paketat e shpëtimit.

Ai bëri të ditur se sot kanë arritur të dalin me sukses nga paketa e shpëtimit me udhëzimet që kanë marrë nga populli. Cipras theksoi se do të nisin një periudhë të re pa harruar gabimet e bëra në të kaluarën. "Kemi mbërritur në vendin ku do të mbërrinim, kemi dalë nga memorandumi. Por, ne nuk do të ndalemi këtu, përpara kemi sfida të reja", tha kryeministri grek.

Ndërsa presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker në një deklaratë në lidhje me çështjen ka bërë të ditur se përfundimi i paketës së shpëtimit është një moment i rëndësishëm për Evropën dhe Greqinë. "Partnerët evropianë janë solidarizuar. Populli grek i ka dhënë përgjigje çdo vështirësie me vendosmëri dhe guxim", tha Juncker.

E ndodhur në batakun e borxhit pas hyrjes në krizë financiare për shkak të deficitit buxhetor në nivele të larta Greqia kishte nënshkruar marrëveshje me kreditorët për 3 paketa shpëtimi, në 2010, 2012 dhe 2015.

Kreditorët e BE-së dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ofruan rreth 289 miliardë euro kredi Greqisë kundrejt masave shtrënguese dhe reformave.

Gjithashtu thuhet se borxhi publik i Greqisë tejkalon 315 miliardë euro, shifër e cila do të mbetet nën vëzhgim pas paketës së shpëtimit. Më 20 gusht ky program ekonomik i mbështetur nga paketat në fjalë mori fund zyrtarisht.



Lajme të ngjashme