Kosova njihet me tarifa të reja të energjisë elektrike

Zyra e rregullatorit për energji ZRRE njofton se qytetarët e Kosovës këtej e tutje faturat e energjisë elektrike që harxhojnë do ti paguajnë sipas strukturës së re më të thjeshtë tarifore, të ndarë në tarifë për ditën dhe natën.

Kosova Bakanlar Kurulu Toplantısı.jpg
Priştine Üniversitesinde Öğrenci Aile Sağlık Merkezi açıldı.jpg
Kosova_yeni elektrik tarifiler uygulanacak_gece_gündüz tarifileri.jpg

Qytetarët e Kosovës ka shumë gjasa që të paguajnë faturat e rrymës elektrike sipas strukturës së re tarifore, që është më e thjesht.

Zyra e rregullatorit për energji ZRRE, ka propozuar që tarifa e natës për konsumatorët e vegjël të jetë 0.3 cent, kurse tarifa e ditës 0.7 cent për kilovat të shpenzuar. 

Duke pasur si synim që tarifat të jenë sa më të thjeshta për ti kuptuar, për të gjithë konsumatorët dhe me qëllim të përshtatjes së sektorit me rrethanat e reja të krijuara nga kërkesat ligjore për liberalizim të tregut, ZRRE ka vendosur që të rishqyrtoj strukturën aktuale tarifore. Përmes këtij thjeshtësimi, ZRRE synon të ju mundësojë konsumatorëve krahasim më të lehtë të çmimeve të ofruara nga furnizuesit e ndryshëm që pritet të hyjnë në treg.

Me këtë ndryshim, ndryshon edhe çmimi për kilovat për konsumatorët e vegjël, ka thënë Krenar Bujupi – kryesues i Bordit të ZRRE-së.

“Struktura e re tarifore për konsumatorët shtëpiak tanimë është thjeshtësuar deri në atë masë sa ka vetëm, tarifat e larta dhe tarifat e ulëta d.m.th tarifa e natës dhe e ditës. Tarifa e ditës, propozohet të caktohet në 0.7 cent, ndërsa tarifa e natës propozohet të jetë 0.3 cent gjatë natës. Dhe, kjo tarifë do të jetë në fuqi gjatë gjithë vitit dhe nuk do të ndryshohet pavarësisht konsumit, pavarësisht sezoneve”,- ka thënë Bujupi.

Udhëheqësi i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRRE Ymer Fejzullahu shpjegoi se struktura e re tarifore mbështetet në thjeshtësi, reflektim të kostos në nxitje të kursimit dhe në parimin e përballimit.

“Çka do të thotë reflektimi i kostos? Do të mundohemi maksimalisht sepse jo domosdoshmërish mund t’i ngarkojmë kostot që i përkasin atij, por maksimalisht do të mundohemi me i nda në një grup i cili e ka përafërsisht konsumin e njëjtë, të krijojmë një kategori dhe të përcaktojmë me ja reflektu kostot në çmimin që ne e përcaktojmë për konsumatorët e vegjël dhe bizneset e vogla”, ka thënë Fejzullahu.

Ndryshe, struktura ekzistuese tarifore për konsumatorët familjarë, ndahet në dy sezone: dimërore dhe verore; pastaj ndarjen në dy kohë të konsumit: gjatë ditës dhe natës; si dhe në tri blloqe tarifore (niveli prej 0 deri 200 kWh, niveli prej 200 kWh deri 600 kWh dhe niveli mbi 600 kWh. Struktura ekzistuese tarifore për konsumatorët komercial është pak më e thjeshtë duke mos pasur blloqe tarifore në bazë të nivelit të konsumit.

Kurse propozimi i ri paraqet ndryshime të rëndësishme për konsumatorët fundorë, e në veçanti për ata familjarë. Një nga ndryshimet esenciale të propozuara është largimi i tarifave sezonale, ku në këtë rast, tarifat do të jenë të njëjta pavarësisht sezonit të konsumit (verë apo dimër) dhe do të përfshijnë të gjithë konsumatorët fundor. Ky propozim vjen si rezultat i ndryshimeve minimale të kostove të furnizimit në mes të sezonit dimëror dhe veror.

Përveç kësaj, gjithashtu do të thjeshtëson të kuptuarit dhe lehtëson mënyrën e kalkulimit nga ana e konsumatorëve dhe furnizuesit. Kështu, tarifa gjatë ditës do të jetë më e lartë dhe do të jetë në mes të orës 07:00 – 22:00, ndërsa tarifa gjatë natës do të jetë më e ulët dhe do të jetë në mes të orës 22:00 – 07:00. Ndryshimi i fundit në propozimin për strukturën e re tarifore ka të bëjë me tarifën fikse e cila do të ulet për konsumatorët familjarë nga 2.5 € në 1.8 €.

***

Me ndërtimin e TC “Kosova e Re” rritet çmimi i energjisë

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” do të zgjidhë problemin e energjisë. Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci në një debat me qytetarë, lidhur me ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Ai tha se ky projekt krijon rreth dhjetë mijë vende pune të përkohshme dhe 550 të përhershme,  ndërsa bëri të ditur se do të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike për çdo vit rreth katër për qind.

Stavileci tha se ky është një projekt shumë i ndërlikuar, por që tanimë ka kaluar në shumë faza. Ai tha se ndërtimi i tij, do të filloj në vitin e ardhshëm, ndërsa do të jetë gati në vitin 2022. Termocentrali“ Kosova e Re” do të ketë një kapacitet gjenerues prej 450 megavat.  

***

Nisma të reja për punësimin e femrave 

Shumë shpejt do të lansohen nismat e reja, të cilat do të jenë tërheqëse për punësimin e femrave, ka paralajmëruar Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Në javën e gruas, në Kosovë janë mbajtur disa debate, ku të ftuar ishin ministrat e qeverisë së Kosovës.

Institucionet duhet të marrin masa për integrimin e grave në tregun e punës, është thënë në debatin e radhës që u mbajt në kuadër të debateve gjatë javës së gruas. Zëvendës-ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi, ka paralajmëruar nisma të reja.

“Shumë shpejt do t’i lansojnë nismat për të cilat si vend do të jemi shumë krenarë. Me femrat profesionale në sektori ne energjisë... ky është trageti i parë, trageti i dytë është që femrat me shkollë të mesme.”

Kurse ministri i Punës e Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, tha se debatet e tilla ndihmojnë institucionet në bërjen e politikave të drejta.

Mundësi më të mira për femrat kërkoi edhe drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Patrick Etienne, sipas të cilit, në Kosovë nga bizneset e regjistruara vetëm 30% u takojnë femrave.

***

Kujtohet intervenimi i NATO-së 

Në Kosovë udhëheqësit më të lartë shtetëror e kanë kujtuar 24 marsin, përkatësisht 18 vjetorin e intervenimit të NATO-s.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se me ndërhyrjen e NATO-s para 18 vjetëve po mbyllej kapitulli i fundit i terrorit shekullor të shtetit serb në Kosovë dhe po hapej rruga e çlirimit të Kosovës. Në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi ka shkruar se më 24 mars 1999, për herë të parë, bota u bashkua për ta ndalur gjenocidin.

“Sot kujtojmë të gjithë ushtarët e NATO-s që humbën jetën gjatë bombardimeve dhe shërbimit në Kosovë, por edhe nderojmë aleatët tanë që e përmbushën premtimin për lirinë tonë. Sot, 18 vjet më vonë, ne synojmë që në bashkërendim me ShBA-të dhe miqtë e tjerë perëndimorë të bëhemi anëtarë të NATO-s, që nesër edhe ne të kontribuojmë anekënd botës për ruajtjen e paqes”, ka shkruar presidenti Thaçi. 

Edhe Kryeministri Isa Mustafa ka kujtuar sulmet e NATO-s nga qielli që ndodhën 18 vjet më parë. Ai ka thënë se lufta heroike çlirimtare në tërë territorin e Kosovës, e sollën lirinë që ne e gëzojmë.

“Nisja e kampanjës ajrore të Aleancës Veri-atlantike më 24 mars 1999, është ditë historike për Kosovën, për NATO-n por edhe për konceptin modern të lirisë dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së saj nga regjimet kriminale”, ka shkruar Kryeministri Mustafa.

***

Raporti vjetor financiar i dërgohet Kuvendit

Qeveria e Kosovës miratoi raportin vjetor financiar për vitin 2016, i cili do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim të mëtejmë. Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se të hyrat buxhetore gjatë vitit 2016 kanë qenë afro 1.8 miliardë euro, që paraqet rritje prej 4 për qind.
“Të hyrat tatimore që konsiderohen të hyrat më stabile për financimin të shpenzimeve të Qeverisë, janë rritur më 12 për qind ose rreth 160 milionë euro më shumë se vitin paraprak. Kjo ka ardhur në veçanti nga rritja e të hyrave në Administratën Tatimore prej 16 për qind, në Dogana në 10.5 për qind dhe gjithashtu tatimi në pronë nëpër komuna, si rezultat edhe i Ligjit për faljen e borxheve, të cilat janë rritur më 27 për qind krahasuar me vitin paraprak”, tha Hoti.

Kurse Kryeministri i vendit Isa Mustafa, tha se raporti i prezantuar nga ana e ministrit Hoti ishte mjaft i qartë”.

Qeveria miratoi edhe draft-strategjinë për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez në Kosovë. Kryeministri Mustafa njoftoi se gjatë diskutimit të çështjes me Kryeministrin e Malit të Zi kohë më parë në Shkodër, ka gjetur përkrahje.

***

Kryeministri Mustafa pranon raportin e analizës me qindra biznese

Kryeministri Isa Mustafa ka pranuar Raportin e të bërit biznes në Kosovë, të punuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Gjatë vitit të shkuar janë analizuar 400 biznese të Kosovës. Analiza për bizneset, e cila iu dorëzua Kryeministrit Mustafa nga kreu i Odës Safet Gërxhaliu, flet për përmirësim të klimës së të bërit biznes në vend.

“Na vjen shumë mirë që vlerësimet janë se po hapet rruga e të bërit biznes në Kosovë. Se ambienti është shumë më i volitshëm dhe po përmirësohet çdo ditë. Është po ashtu shumë mbresëlënës fakti se bizneset tona po eksportojnë produktet e tyre në tregjet e BE-së dhe në tregjet e treta, në të cilat ne nuk kemi qenë deri më tani”, ka thënë Mustafa.

Kurse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka përmendur mungesën e energjisë elektrike, por edhe siç tha ai jo-stabilitetin politik, si probleme me të cilat rëndohen bizneset në Kosovë.

“Duhet të bëhet më shumë të zgjidhet problemi i energjisë elektrike, e dyta të kemi një tretman më të avancuar për prodhimin vendor dhe të avancohet raporti mes tregtarëve dhe prodhueseve vendorë, ligji për tregti të brendshme. Nga Ministria e Tregtisë ka ardhur një rekomandim që së shpejti do të zyrtarizohet Ligji për tregti të brendshme dhe Ligji për anti- dumping, që do të jenë dy ligje që do të jenë në funksion të barazisë së prodhuesit vendor me të tjerë”, ka thënë Mustafa.

Në takim me kryeministrin Mustafa kanë marrë pjesë edhe ministrat Bajrami, Stavileci e Hoti, por edhe biznesmen të profileve prodhuese  të mëdha.

***

LVV dënon sulmin fizik ndaj aktivistit të saj 

Lëvizja Vetëvendosje (VV) reagoi ndaj sulmit fizik mbi aktivistin e saj Agron Kabashi. Kryetari Vetëvendosjes, Visar Ymeri sulmin ndaj aktivistit Agron Kabashi e cilëson si sulm ndaj Vetëvendosjes përkatësisht sulm politik. Ymeri po ashtu tha se sulmi nuk paraqet vetëm dhunë fizike por është dhunë kriminale.

“Ky sulm ndaj Vetëvendosjes e ka qëllimin kryekëput politik të frikësimit dhe tentimit për të ndalur rrugën tonë.   Është një sulm tinëzar i cili vjen nga njerëz edhe janë të mjerë por njëkohësisht edhe të kapur nga krimi”, ka thënë Ymeri. 

Për sekretarin organizativ të Vetëvendosjes Dardan Molliqajn, ngjarja ka qenë e përgatitur dhe se sulmi lidhet me publikimin e sondazhit nga e kësaj lëvizjeje. Molliqaj ka akuzuar edhe pjesëtarët e Policisë, duke thënë se kjo e fundit është kapur nga pushteti, ngase sipas tij policia nuk i ka konfiskuar kamerat e sigurisë që ndodhen përgjatë lagjes ku banon ai, në mënyrë që të zbardhet rasti.

Ndryshe Aktivisti i Vetëvendosjes Agron Kabashi, ishte sulmuar fizikisht, kurse pas trajtimit në QKUK tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore.

***

VV diskuton për ushtrinë

Projektligji aktual për Forcën e Sigurisë së Kosovës do ta ndihmojë atë në rritjen e kapacitete, por jo ta shndërroj atë në ushtri. Kështu tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri duke folur në konferencën “Forca e Sigurisë së Kosovës dhe rregullimet ligjore”, të organizuar nga Lëvizja në fjalë.

Ai tha se rrugëtimi për themelimin Ushtrisë së Kosovës, kishte nisur që nga vitet 90-të, duke filluar nga UÇK-ja e deri tek Trupat Mbrojtëse të Kosovës, por që me planin e Ahtisarit, sipas Ymerit, në vend që të shndërroheshin në ushtri, ato u shuan.

Edhe Rexhep Selimi tha se Ligji për FSK-në, është paraqitur tek institucionet e Kosovës në një mënyrë të jashtëzakonshme madje pa u konsultuar me askënd.

***

Në Kosovë nuk mbrohen të dhënat personale 

Mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë, mbetet dukuri shqetësuese. Gjatë prezantimit të raportit ”Mbrojtja e të drejtave të njeriut në kohën digjitale”, në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi evropian në Kosovë, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, në Prishtinë, Markos Sofroniou u shpreh i shqetësuar për mos-funksionalizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

”Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave nuk është funksionale dhe roli i saj është jashtë funksionit dhe BE-ja ka kërkuar që të kemi një Komisionar për mbrojtjen e të dhënave personale”,- ka thënë ai.

Ndërkaq, Betim Gjoshi nga Komisioni Qendror Zgjedhor vuri në theks se ky komision zgjedhor pas zgjedhjeve ka avancuar në ofrimin e shërbimeve cilësore madje edhe në mbrojtjen e të drejtave personale.

”Që nga organizimi i vendvotimit kur ne i kemi vendosur vëzhguesit në një hapësirë ku kanë mundësi të shohin gjithë procesin, numri i këshillave të vendvotimit që janë shtatë anëtarë brenda një dhome që mbikëqyrin fshehtësinë e votës. Mandej edhe procedurat që kemi ndërtuar për numërim por edhe procedurat në qendrën e numërimit të rezultateve garantojnë fshehtësinë e votës”, ka thënë Gjoshi.

KQZ premton se do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje përfshirë këtu edhe votimin elektronik të cilat ndërlidhen me fshehtësinë dhe të drejtën e votës.

***

Komuna e Prishtinës hap Qendrën e Mjekësisë Familjare në Qendrën e Studentëve

Në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” pas 11 vitesh është rihapur Qendra së Mjekësisë Familjare, e cila do të ofroj shërbime mjekësorë për 4 mijë student që banojnë në konvikte.

Gjatë përurimit të kësaj qendre, ministri i arsimit Arsim Bajrami, tha se ky është një kujdes që kampusi i Qendrës së studentëve po tregon për të gjithë studentet që kanë nevojë për shërbimet mjekësore.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se edhe pse si komunë nuk janë të obliguar të ofrojnë shërbime për banorët jashtë Prishtinës, megjithatë kërkesa e madhe e studentëve ka bërë që të investojnë në rihapjen e kësaj qendre.

Fillimisht kjo qendër do të ofrojë vetëm shërbime të përgjithshme  mjekësore, ndërsa me kompletimin e stafit do të fillojë edhe me shërbime stomatologjike dhe laboratorike, tha drejtori i drejtoratit për shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia.

***

Pronarët e auto-pjesëve kërkojnë drejtësi nga Dogana 

Pronarët e auto-pjesëve në Kosovë përmes avokatit të autorizuar kanë dorëzuar kërkesë në Doganën e Kosovës, ku kërkojnë anulimin e vendimit  për doganimin e veturave për pjesë me të njëjtat tarifa si ato të gatshme për qarkullim. Bizneset kërkojnë nga dogana që automjetet e importuara me qëllim të shitjes për pjesë, të mos doganohen njësoj si automjetet për qarkullim.

Pesëdhjetë pronarë të autorizuar të auto-pjesëve të përdorura në nivel të Republikës së Kosovës kërkojnë nga ana e doganës së Kosovës zgjidhjen e problematikës së tyre. Në të kundërtën, përmes të autorizuarit të tyre ata paralajmërojnë inicimin e konfliktit administrativ, me anë të deponimit të padisë në gjykatën kompetentë kundër gjykatës së Kosovës. Kështu ka deklaruar avokati i autorizuar Musa Damati.

“Është kërkesë, e cila do të dorëzohet në doganë dhe pastaj këta në kthejnë përgjigje. Dhe nëse institucionet relevante, institucionet përkatëse nuk janë të afta që me politikat e tyre fiskale të inkurajojnë bizneset, atëherë të paktën ato nuk duhet ti pengojnë në ushtrimin e afarizmit të tyre të ligjshëm. Është kërkesë, e cila do të dorëzohet në doganë dhe pastaj këta në kthejnë përgjigje”,a ka thënë avokati Damati.

Kurse Burim Haziraj pronar i një biznesi me auto-pjesë, sqaron problemin aktual.

“Kemi problem që automjetet që i blejmë, të dëmtuara, me defekte, që nuk kanë të drejtë në qarkullim, na detyrojnë të bëjmë pagesën si mjet i rregullt, nuk na lejojnë me bo pagesën për automjet për pjesë. Nëse ai kerr është blerë 200 euro na detyrojnë të paguajmë 2000 euro doganën si kerr i rregullt”, ka thënë ky pronari i biznesit.

Bizneset me auto-pjesë të përdorura kërkojnë ligjin, i cili ka qenë deri në vitin 2013, kur kanë paguar gjithsejtë 28% taksa.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme