Dogana e Kosovës do të ketë së shpejti zyrë operimi në Durrës

Dogana e Shqipërisë në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e zyrës së operimit të Doganës së Kosovës në Durrës, tha ministri Arben Ahmetaj në një konferencë te përbashkët me homologun Avdullah Hoti nga Kosova

Arnavutluk Durres Limanı_Porti i Durresit.jpg

Ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, realizoi sot një takim zyrtar me homologun e tij, Avdullah Hoti nga Kosova. Në përfundim të takimit, ministrat Ahmetaj dhe Hoti mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

Ahmetaj gjatë fjalës së tij, duke kujtuar marrëveshjet e nënshkruara me ministrin Hoti në mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive, u shpreh se mes Shqipërisë dhe Kosovës janë shënuar disa arritje, në procesin e bashkëpunimit mes dy ministrive.

"Kemi shënuar një sërë arritjesh praktike, por ka ende çështje ku stafet teknike të të dy vendeve janë në komunikim intensiv për ti avancuar. Udhëzimi për funksionimin e doganave 24 orë për bizneset kosovare ishte një hap i mirëpritur dhe rezultativ. Nga ana tjetër bashkëpunimi i vazhdueshëm i dy administratave doganore gjatë vitit 2016, si dhe investimet e përbashkëta në programe, kanë bërë që të finalizohet sistemi i përbashkët i tranzitit, duke u shmangur kontrollet e panevojshme kufitare", u shpreh Ahmetaj.

Sipas tij, Dogana e Shqipërisë në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e zyrës së operimit të Doganës së Kosovës në Durrës.

Ndërsa ministri Hoti gjatë fjalës së tij u ndal tek angazhimi i Shqipërisë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve.

"Jemi dakorduar për disa çështje. Diskutuam për statusin e marrëveshjeve që kemi nënshkruar. Shpreh kënaqësinë për angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshjet e përbashkëta. Është një sukses pika e përbashkët doganore në Vërmicë, duke e lehtësuar qarkullimin tregtar mes dy vendeve", u shpreh ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti.



Lajme të ngjashme