Vazhdojnë premtimet e zyrtarëve ndaj bizneseve kosovare

Edhe pse zyrtarët vazhdojnë të japin premtime bizneset në Kosovë vit për vit ankohen tek institucionet duke kërkuar kushte më të mira të afarizmit.

Vazhdojnë premtimet e zyrtarëve ndaj bizneseve kosovare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në një takim përfaqësuesit e Zyrës së Komunitetit të Biznesit, me të cilët biseduar për hartimin e një agjende të përbashkët ekonomike dhe pako të reformave të domosdoshme.

Veseli në takim me Zyrën e Komunitetit të Biznesit, mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ka njoftuar se janë pajtuar që gjatë procesit të ri-formatimit të Qeverisë, të dëgjohen dhe të merren parasysh propozimet e komunitetit të biznesit.

“Në takim me Zyrën e Komunitetit të Biznesit, në Kuvendin e Kosovës, biseduam për hartimin e një agjende të përbashkët ekonomike dhe pako të reformave të domosdoshme. U pajtuam që gjatë procesit të ri-formatimit të Qeverisë, të dëgjohen dhe merren parasysh propozimet e komunitetit të biznesit. Po ashtu, diskutuam për nevojën e shtyrjes së afatit për shlyerjen e borxheve të bizneseve deri më 31 dhjetor 2016”, ka shkruar kryetari Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

***

Bizneset në Kosovë kërkojnë rritjen e kapaciteteve njerëzore e profesionale për zgjidhjen e kontesteve gjyqësore të natyrës komerciale. Gjatë diskutimeve në një tryezë, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, u shpreh e vetëdijshme për problematikën e lëndëve të pazgjidhura nëpër gjykata.

Bizneset shpesh ballafaqohen me stërzgjatje të procedurave gjyqësore që pengon afarizmin e tyre. Për këtë arsye drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka, kërkon nga ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, të punojë edhe në rritjen e kapaciteteve profesionale për zgjidhjen e kontesteve të natyrës komerciale.

“Nuk ka dyshim se në këtë aspekt do të ishte më se e nevojshme edhe një dhomë e veçantë e cila do të trajtonte të gjitha kontestet e bizneseve. Kjo e kombinuar me arbitrazhin do të ofronte siguri më të madhe edhe për investitorët e jashtëm, edhe të brendshëm”, tha Zeka.

Zeka brengosëse e sheh edhe hartimin e Ligjit për Falimentim dhe mungesën e praktikave gjyqësore për zbatimin e këtij ligji.

“Eliminimi i këtyre brengave  mund të ndikojë në rritjen e besimit në mesin e komunitetit të biznesit në gjyqësorin dhe për procedurat e falimentimit në përgjithësi”, theksoi ai.

Kurse ministrja Hoxha, e cila po ashtu mori pjesë në diskutimin e organizuar nga Oda Amerikane, u shpreh e vetëdijshme për problematikën e lëndëve të pazgjidhura në gjykata dhe efektet që kanë në bizneset e vendit procesi i falimentimit.

“Unë besoj fuqishëm se hyrja në fuqi e ligjit të ri për falimentimin do të mundësojë krijimin e kornizës ligjore që do tu ofrojë të gjitha llojeve të bizneseve qasje në procedura të strukturuara në procesin e falimentimit”, potencoi ministrja.

Në tryezë folën edhe zyrtarët e USAID-it si të cilët potencuan rëndësinë e efikasitetit të gjyqësorit dhe miratimit të Ligjit të ri për Falimentim.

***

“Përputhshmëria e Prioriteteve të Qeverisë Qendrore më ato të Qeverive Lokale të Rajonit Qendër”, është jo e lartë, është thënë në një tryezë gjatë prezantimit të një hulumtimi të Institutit Riinvest. Zyrtarë të Institutit thanë se studimi po ashtu ka analizuar planet afatshkurtra dhe afatmesme si dhe veprimet zhvillimore të nivelit lokal që ndërlidhen me atë qendrorë.

Qëllimi i këtij studimi është që të identifikojë dhe vlerësojë përputhshmërinë e prioriteteve të zhvillimit rajonal dhe prioriteteve kombëtare të adresuara nga Qeveria Qendrore. Alban Hashani, nga Instituti Riinvest, tha se strategjia kombëtare për zhvillim për vitin 2016- 2021 ka katër shtylla të rëndësishme që janë prioritet për planin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ndërsa, Sokol Havolli nga Qeveria e Kosovës, tha se ekzekutivi i ka dokumentet e saj, ku përmes tyre ka dizajnuar shumicën e politikave gjatë periudhës së qeverisjes së saj.

“Është programi i reformave ekonomike dhe instrumenti kryesor në adresimin e këtyre çështjeve që është buxheti i republikës së Kosovës i cili përveç ndarjeve standarde që shkojnë përmes formulave ka edhe komisionin e granteve i cili është specifik për të adresuar edhe kërkesat në aspektin e komunave.”

Rekomandimi kryesor i këtij studimi është krijimi i një modaliteti të bashkëpunimit mes qeverisë dhe komunave me qëllim të identifikimit të hapësirave për planifikim të përbashkët zhvillimor që do të mundësojë një zhvillim të përshpejtuar për ekonomin e vendit.

***

Doganat e Kosovës janë liruar nga mbikëqyrja klasike e EULEX-it. Për këtë arsye, është mbajtur një konferencë për media, në të cilën është thënë se bashkëpunimi do të vazhdojë në formë partneriteti.

Drejtori i Doganës, Lulëzim Rafuna, duke falënderuar misionin e EULEX-it për bashkëpunim, ka falënderuar edhe popullin amerikan që me taksat e tyre, janë bërë shumë investime në doganë.

“Mbikëqyrja klasike që e kemi pasur prej vitit 1999 do të përfundojë, por që do të vazhdojë një partneritet i ngushtë me EULEX-in, një partneritet i sinqertë dhe transparent siç e kemi pasur, ku EULEX do ta ndihmojë Doganën e Kosovës në implementimin e konkluzioneve të Brukselit sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit dhe këshillime në nivelin strategjik”, ka thënë Rafuna.

U.d. i shefit të EULEX-it, Bernd Thran, tha se ky mision ka ofruar këshilla ose shërbime të monitorimit dhe këshillimit për doganën e Kosovës, me mbështetje në reformat e jashtëzakonshme të cilat i kanë kryer.

“Dogana e Kosovës ka treguar një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë gjashtë viteve të kaluara të mandatit të EULEX-it, ky progres i vazhdueshëm është një dëshmi tjetër që ndihma e BE dhënë nëpërmjet këshilltarëve të EULEX-it ka qenë një investim i mirë dhe i qëlluar”, theksoi Thran. 

Po ashtu, James Hoop, shef i USAID-it dhe zëvendës-ambasador i ShBA-ve në Prishtinë, theksoi me këtë rast se 5 milionë dollarë është vlera e ndihmës për doganën e Kosovës nga Qeveria amerikane. 

“Shtetet e Bashkuara janë të lumtura dhe krenare për mbështetjen dhe për përkrahjen e jashtëzakonshme që kanë mundur ta ofrojnë jo vetëm për institucionin e Doganës së Kosovës, por edhe për vetë vendin gjatë viteve të kaluara. Përmes programit tonë kemi ofruar një ndihmë e cila në vlerë monetare arrin shifrën prej 5 milionë dollarësh, po ashtu kemi organizuar edhe 150 module trajnime“, theksoi Hope.

Ndryshe, dogana është themeluar në vitin 1999 dhe deri në vitin 2008 ka qenë nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut. Kurse në dhjetor të atij viti është bartë në kompetenca të Qeverisë së Kosovës, por që është vendosur  nën mandatin e EULEX-it për monitorim dhe këshillim. Kurse tani me mandatin e ri dogana është institucion i parë që po lirohet nga një mbikëqyrje e tillë.

***

Nën kryesimin e ministres për Dialogun të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, dhe njëherësh krye-negociatore, delegacioni i Kosovës ka marrë pjesë në takimin e radhës të mbajtur në Bruksel për çështjet e kodit telefonik, i cili ka zgjatur rreth 20 orë.

Në agjendën e këtij takimi temë kryesore ishte përfundimi i hapave drejt marrjes së kodit telefonik shtetëror për Kosovën, +383 nga ana e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikimit, ITU. Edhe përkundër angazhimeve të delegacionit kosovar dhe të BE-së që kjo çështje të përmbyllet përfundimisht në këtë takim, pala serbe nuk pati gatishmëri për të rrumbullakuar këtë proces.

Delegacioni i Kosovës mbrojti qëndrimin që marrëveshja për telekomin bazohet në ligjet dhe kornizën rregullatore të telekomunikacionit të Kosovës, prandaj edhe zgjidhjet teknike zbatuese duhet të jenë plotësisht me ligjet e Republikës së Kosovës. Delegacioni i Serbisë edhe pse është nënshkrues i marrëveshjes për telekomin, u mundua që në disa çështje procesi i zbatimit të dalë jashtë ligjeve të Kosovës.

Në përpjekje për të përmbyllur hapat zbatuese për kodin, në orët e mbrëmjes në procesin e ndërmjetësimit është inkuadruar edhe drejtoresha për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin Perëndimor në Shërbimin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të znj. Mogherini, znj. Angelina Eichhorst, megjithatë takimi në orët e mëngjesit përfundoi pa i përmbyllur disa nga çështjet.

***

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projektit infrastrukturor “Asfaltimi i rrugës Bunari i Zenelit – Shkolla dhe Rruga Lokale” në komunën e Kamenicës.  Ky projekt do të financohet në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës, në vlerë prej 100 mijë euro. Projekti do të monitorohet nga një zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa Komuna e Kamenicës do të emërojë një projekt-menaxher për të mbikëqyrur realizimin e projektit, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, pranimin teknik, në të cilin do të jetë një anëtar nga Ministria e Infrastrukturës. Po ashtu, Komuna e Kamenicës do të kryejë procedurat e tenderimit, përzgjedhjen e operatorit ekonomik në pajtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, si dhe obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme që projekti të realizohet brenda afatit të caktuar dhe me kualitet të lartë.

***

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, z. Sakip Imeri me bashkëpunëtorët e tij, kanë realizuar një vizitë zyrtare dy ditore në Administratën Tatimore të Malit të Zi. Qëllimi i vizitës ishte vendosja e bashkëpunimit dhe këmbimi i përvojave në fushën e tatimeve, me theks të veçantë, trajtimi tatimor i aktiviteteve bankare dhe prezantimi i zhvillimeve të proceseve të punës në Administratën Tatimore. Nga takimi u konkludua që të dy administratat të vazhdojnë bashkëpunimin, me qëllim të ndarjes së përvojave më të mira, drejtë modernizimit të dy administratave. Ishte një vizite e mirë dhe një pritje e sinqertë nga Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Malit të Zi  Miomir Mugosha me ekipin e tij.

***

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim zyrtarin nga ambasada e Bullgarisë në Prishtinë, Valeri Hristov. U diskutua për intensifikimin e mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike në mes Kosovës dhe Bullgarisë me theks të veçantë krijimin e kushteve të përshtatshme për rritjen e prezencës së investitorëve nga Bullgaria në Kosovë. Ministrja Bajrami i shpjegoi mysafirit për përmirësimet e ambientit të biznesit që janë bërë dhe po bëhen nga Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë së vendit që ta bëjë sa më të lehtë procesin e investimeve në Kosovë qoftë nga kompanitë e huaja si dhe ato vendore. Hristov tha se ka interesim të kompanive nga Bullgaria për të investuar në Kosovë dhe u zotua se do të punojnë ngushtë me qeverinë e Kosovës që investimet bullgare në vendin tonë të shënojnë rritje, sidomos në fushën e prodhimit.

***

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, qëndroi në vizitë zyrtare në Maqedoni. Ajo u prit nga Ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, Driton Kuçi. Temë kryesore e takimit bilateral të Ministrave Bajrami dhe Kuçi ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ministrja Bajrami nënvizoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për kultivimin e raporteve të mira ekonomike me Republikën e Maqedonisë. Ajo foli për reformat ekonomike të cilat i ka ndërmarrë qeveria e Kosovës dhe të cilat po japin efekte pozitive në ngritjen e performansës së bizneseve dhe rritjes së investimeve të huaja direkte. Ministrja Bajrami dhe Ministri Kuçi konstatuan se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes Kosovës dhe Maqedonisë janë të mira, dhe se ka mjaft hapësirë që ato të intensifikohen edhe më tej përmes iniciativave të reja dhe investimeve të përbashkëta nga kompanitë e të dyja vendeve. Në takim është diskutuar edhe rreth bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe ministrat u pajtuan se ky bashkëpunim duhet të konsolidohet më shumë si në nivelin institucional ashtu edhe në mes të subjekteve afariste që operojnë në fushën e turizmit.

 

 - Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme