Dragashi e Gostivari “lidhen” përmes turizmit

Komuna e Dragashit dhe ajo e Gostivarit të Maqedonisë kanë fituar një projekt të përbashkët nga Komisioni Evropian, i cili ka për qëllim zhvillimin e turizmit dhe bashkëpunimin e shtuar ndërkufitarë.

Dragashi e Gostivari “lidhen” përmes turizmit

Në kuadër të këtij projekti të quajtur "Turizmi-derë e hapur për bashkëpunim ndërkufitar", një delegacion i Komunës së Gostivarit i udhëhequr nga kryetari Nevzat Bejta vizitoi Komunën e Dragashit, ku u prit nga kryetari Salim Jonuzi. Kryetari i Gostivarit e vlerësoi si shumë të rëndësishëm projektin.

“Krijimi i një linku të qëndrueshëm me instrumente për promovim të ofertës së përbashkët në të dy anët e kufirit është jetike për ju e posaçërisht për ata që pranojnë shërbimet dhe prodhimet e juaja. Andaj, le të jetë kjo ditë e para e rrugëtimit të gjatë që të gjithë ju së bashku duhet ta bëni në të ardhmen", tha me këtë rast kryetari Nevzat Bejta, duke falënderuar Delegacionin e Bashkimit Evropian të cilët financuan këtë projekt kaq të rëndësishëm për dy komunat, si dhe nikoqirin kryetarin e Komunës së Dragashit. z. Salim Jenuzi për punën e shkëlqyer të realizuar brenda kohës.

“Ne do të japim kontribut që në të dyja komunat, si në komunën e Dragashit në pjesën malore, si në Komunën e Gostivarit po ashtu në pjesën malore, të zhvillojmë ekonominë familjare që të prodhojmë prodhime të shëndetshme," u shpreh Bejta.

Ndërkaq, kreu i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, tha se dyert e bashkëpunimit me Komunën e Gostivarit, janë plotësisht të hapura dhe se do të vijohet që, përmes aktiviteteve të ndryshme, të ndikohet në prosperitetin e dy komunave.

“Bashkë kemi fituar një projekt “Turizmi derë e hapur për bashkëpunim ndërkufitar". Dhe pikërisht edhe sot është kjo një derë e hapur për arsye se një pjesë e biznesmenëve të Gostivarit është sot këtu".

Gjatë ceremonisë në Dragash u mbajt edhe një panair I gastronomisë e turizmit, në të cilin janë ekspozuar produkte ushqimore dhe artizanale.

***

Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi pret të miratohet propozimi i tij që tokat bujqësore të pa-privatizuara t'i kthehen qeverisë për menaxhim. Ai gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, po ashtu ka thënë se vitin e kaluar është shtuar eksporti i produkteve bujqësore për 6 për vqind.

Pasi që shumica e tokave bujqësore të privatizuara kanë mbetur të pashfrytëzuara, ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi pret që gjatë këtij viti të procedohet në realizimin e një propozimi të ngritur nga ai në qeverinë e Republikës së Kosovës, që ndërlidhet me ndryshimin e legjislacionit për privatizimin, përkatësisht për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

“Synimi ynë është që tokat bujqësore të paprivatizuara të kthehen në menaxhim të qeverisë, ashtu që ato të jepen në shfrytëzim për investime strategjike dhe veçanërisht pas miratimit të ligjit për investime strategjike që të mundësohet funksionimi i tyre për funksionin primar të tyre për bujqësinë. E dini që janë afërsisht 30 mijë hektarë të privatizuara gjatë viteve të kaluara të tokës bujqësore dhe një pjesë e madhe e tyre nuk janë në funksion bujqësor."

Ministri Krasniqi ka folur edhe për rritjen e eksportit të produkteve bujqësore, bazuar në statistikat e Doganave të Kosovës.

Për vitin 2015 krahasuar me vitin 2014 ne kemi një rritje prej 6% të eksportit bujqësor si dhe një ulje të importit të produkteve agro-ushqimore."

Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, ministri njoftoi se gjatë këtij muaji do të zhvillohen takimet finale në lidhje me Financimin Shtesë për projektet e Bankës Botërore për vitet 2017 e tutje. Po ashtu janë duke u implementuar projekte edhe me organizata tjera ndërkombëtare.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar Komunën e Mamushës, ku është pritur nga kryetari Arif Bytyç me bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë qëndrimit në Mamushë, kryeministri Mustafa, ka vizituar edhe serat e mbjella me domate duke u informuar për rendimentet e mëdha në bujqësi.

Kryeministri Isa Mustafa në një prononcim tha se janë bërë hapa të rëndësishëm në Komunën e Mamushës.

“Kemi obligime që të përkrahim këtë komunë në mënyrë që t'i zgjidh çështjet që janë me prioritet. Ka shumë të tilla, por me rëndësi themelore është se ka harmoni shumë të mirë, kemi një menaxhim shumë të mirë të Komunës, kemi zgjidhje të shumë problemeve, të infrastrukturës, shkollës, të institucioneve shëndetësore, kulturore", tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa premtoi se së bashku me ministrin dhe kabinetin qeveritar do të punojnë që të zgjidhin problemin e financimit të komunave të vogla në mënyrë më të mirë.

“Do të bëhet ndryshimi i Ligjit mbi Financat Lokale dhe do t'i përshtatet kritereve që meritojnë komunat që kanë më pak territor dhe më pak popullsi që të përfitojnë më shumë sidomos për investime kapitale sepse edhe përkundër fjalëve shumë të mira të kryetarit, ne kemi nevojë t'i rrisim investimet kapitale për komunat e vogla", tha kryeministri duke premtuar përkrahje për kyçjen e kësaj komune në autostradë si një përfitim i madh në pikëpamje të kohës dhe ekonomike.

Kryetari i Mamushës, Arif Bytyç, është shprehur i kënaqur me të arriturat e deritashme por ka kërkuar përkrahjen e Qeverisë edhe në disa fusha të tjera konkrete.

Ai ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin Mustafa për kyçjen e Komunës së Mamushës në autostradë.

Lidhur me sistemin e ujitjes dhe ujit të pijes, Bytyç tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm.

***

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se Kosova gjatë vitit 2015 ka pasur rritje ekonomike deri në 3.6 për qind, të cilën e ka cilësuar si të konsiderueshme krahasuar me vendet tjera të rajonit. Mustafa ka shkruar në Facebook se rritja ekonomike për vitin e kaluar është nxitur nga investimet, duke lënë në plan të dytë konsumin, që sipas tij, vazhdimisht në vitet e fundit gjeneronte rritjen.

“Rol tejet të rëndësishëm në rritjen ekonomike kanë pasur edhe Investimet e Huaja Direkte, të cilat për vitin 2015 arritën në 324 milionë euro", ka shkruar Mustafa.

***

Deputetët e tri partive opozitare kanë marrë pjesë në Komisionin e krijuar së fundi për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Kjo është hera e parë që deputetët e opozitës u kthehen punimeve në grupet parlamentare, pas një bojkoti të gjatë të aktiviteteve të Kuvendit.

Kryetari i Komisionit, Xhavit Haliti tha se kanë diskutuar edhe për ndikimet e mundshme tek të gjitha institucionet ndërkombëtare që pesëshja evropiane, e cila ende nuk e ka pranuar Kosovën, ta bëjë këtë. Haliti tha se Mogherini dhe Han janë të ftuar në seancë për të marrë pjesë në debat që është në interes të madh për Kosovën.

“Miratuam Draft Agjendën e takimit të cilën do ta mbajmë më 16 dhe 17 maj në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu dëgjuam vërejtjet e përfaqësuesve të Komisionit dhe vendimet të cilat ishin konstruktive dhe në interes të çuarjes përpara të kërkesave lobuese të Parlamentit të Kosovës dhe deputetëve që mundësisht të ndikohet në të gjitha institucionet ndërkombëtare që pesëshja evropiane, e cila ende nuk e ka pranuar Kosovën, të ushtrohet ndikim politik që ta bëjë këtë", tha Haliti.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, i cili është anëtar i Komisionit, tha se sa herë që punohet në të mirë të Kosovës do të marrin pjesë, përveç në séanca dhe komisione të tjera. Sipas tij, Stabilizim-Asociimi është jashtë interesave partiake dhe është për të mirën e vendit.

“Sa i përket ardhjes së opozitës në Komision, ju e dini që ne kemi një vendim me i bojkotuar seancat dhe Komisionet parlamentare, mirëpo Stabilizim Asociimi është jashtë Kuvendit të Kosovës , jashtë interesave partiake, është për të mirën e vendit. Ne jemi këtu të dakorduar që gjithçka çka shkon në favor të shtetit, forcimit të shtetit, ne do të marrim pjesë dhe do të japim kontributin. Prandaj, është një Komision që është propozuar nga Bashkimi Evropian për marrëveshjet kontraktuale me MSA për Stabilizim Asociim dhe ne nuk kemi hezituar që të marrim pjesë", tha Lekaj.

Raporti i punës së këtij Komisioni për vitin 2016 do të miratohet në mbledhjen e ardhshme.

***

Bizneset po paralajmërojnë padi ndaj KEDS-it për shkak të dëmtimeve që po u shkaktojnë ndërprerjet e pa-paralajmëruara të rrymës. Zyrtarët e KEDS pranojnë se mund të ndodhin ndalesa të pa-planifikuara.

Bizneset po ankohen për shkak të ndërprerjeve të rrymës të cilat nuk po lajmërohen nga KEDS -i. Burim Piraj i cili posedon fabrikën në rajonin e Dragashit, ankohet për ndërprerje të shpeshta të rrymës, bile edhe tani në kohën e pranverës.

“Ka ditë kur KEDS-i punon, që për keqardhje nuk na paralajmëron se do të ketë ndërprerje. Javën e fundit për shkak të ndërprerjeve të paparashikueshme nga ana e KEDS-it, kemi pas edhe pengesa në prodhim. Teknologjia moderne të cilën e shfrytëzojmë nuk i përballon ndërprerjet e energjisë elektrike të shpeshta, pa marrë parasysh se kemi gjenerator."

Zyrtarët e KEDS-it pranojnë se mund të ndodhin ndërprerje të pa-planifikuara të rrymës. Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, thotë se rasti i ndërprerjes më të fundit të rrymës në atë rajon, ka ndodhë si pasojë e një lëshimi nga një kontractor i KEDS-it.

“Ka ndodhë para 3 ditësh kur një kontractor i KEDS-it duke bërë punime aty ka shkaktua një prishje në kabllo dhe ka ndodhë deri te ndalja e energjisë elektrike dhe ekipet e KEDS-it e kanë rikthyer në kohën më të shkurt të mundshme.

Por këto ndalesa po e dëmtojnë prodhimin, thotë Piraj.

"Pasi që nëse ne bëjmë pasterizimin e produkteve të konservuara që kemi filluar ti prodhojmë, ndërprerja e shpeshtë e energjisë elektrike e nxjerrë nga sistemi pasterizuesin edhe mund të vije deri te prishja e produkteve në sasi të madhe."

Piraj thotë se nuk do të durojnë më dhe për prishjet në të ardhmen do të ndërmarrin procedura për kompensim.

“Në të ardhmen nëse do të na ndodhë prapë të ketë ndërprerje pa paralajmërim, sikur që ka qenë javën e fundit që ndoshta brenda ditës edhe 10 herë është ndalë energjia elektrike, patjetër do të procedojmë organet kompetente që të kërkojmë kompensimin e dëmeve që na i shkakton vazhdimisht KEDS-i."

Kurse Viktor Buzhala, i fton bizneset të nënshkruajnë marrëveshje me KEDS-in nëse duan të jenë të privilegjuar. Për kompaninë e prodhuesit Piraj, thotë se nuk ka marrëveshje.

“Jo nuk ka marrëveshje, kompania që ju po i apostrofoheni nuk ka marrëveshje që të jetë konsumator i privilegjuar i KEDS-it, d.m.th të ketë furnizim me rrethana të privilegjuara si biznes që është."

Piraj thotë të kundërtën, që ka marrëveshje, por atë nuk e respekton KEDS-i.

“Kemi marrëveshje, edhe këtë e kemi të hershme, ata duhet të na njoftojnë për çdo ndërprerje të energjisë elektrike edhe me atë marrëveshje ata automatikisht e marrin pagesën nga llogaria jonë me një konfirmim të e-mailit. D.m.th e marrin direkt, nuk kemi nevojë t'ua bëjmë transfer."

Piraj thotë se marrëveshje nuk është respektuar asnjëherë, sidomos kur ka të bëjë me tensionin e rrymës.

***

Numri i vogël i konfiskimeve dhe sekuestrimit të pasurisë së paligjshme në Kosovë, mbeten problemet kryesore të luftimit të kësaj dukurie. Kështu kanë vlerësuar organizatat jo-qeveritare që monitorojnë punën në këtë drejtim. Nga një raport i nxjerrë prej organizatës “Çohu", del se për vitin 2015 vlera e sekuestrimeve është 16 milionë, derisa ajo e konfiskimeve është 100 mijë euro.

Në tryezën e organizuar nga “Çohu", u tha se suksesi në zbatimin e ligjit është zero. Arton Demhasaj, i cili paraqiti raportin, tha se për vitin 2014 janë rreth 31 milionë euro të pasurisë së sekuestruar, derisa rreth 500 mijë deri në 1 milion, janë pasuri e konfiskuar. Lloji i pasurisë, sipas raportit të tyre, është shtëpi, banesa, pa-luajtshmëri dhe para.

***

Përmirësimi i mëtutjeshëm i stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritja më e madhe e ekonomisë, përmirësimi i reputacionit të Kosovës në raport me partnerët e jashtëm dhe investitorët, janë disa nga faktorët që kanë bërë kërkesa për blerje të Bonove të Thesarit të Republikës së Kosovës të tejkaloj ofertën e afruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Në ankandin më të fundit, u ofertuan Bono Thesari 3-mujore në vlerë nominale prej 10 milionë euro. E tërë shuma do të shërbejë për ri-financimin e bonos të emetuar në janar 2016. Megjithëse në këtë ankand tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë 17.8 milionë euro, u pranua vetëm shuma e shpallur prej 10 milionë euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.22% vjetore, gjë që paraqet një ulje prej 25 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar të bonove 3-mujore, e cila ishte 0.47%", ka njoftuar Ministria e Financave.

***

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), kanë bërë të ditur se bashkërisht janë dakorduar për krijimin e një fondi prej 60,000 eurosh, në të cilin kanë kontribuar bashkë me nga 30,000 euro për ndërtimin e shtëpive për personat e pastrehë të cilët jetojnë në kushte të vështira financiare. Drejtuesit e të dyja institucioneve njoftuan se përzgjedhja e përfituesve dhe fillimi i ndërtimit të shtëpive do të ndodhin brenda një periudhe 30 ditore përmes një procesi të hapur.

Kompani anëtare të Odës Amerikane, e cila ka kontribuar në mbledhjen e fondeve për ndërtimin e shtëpive veç tjerash është edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës – Limak Kosovo etj.

***

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit" (IHÇK) për muajin mars 2016. Shkalla e inflacionit në muajin mars 2016 ishte 0.1 për qind nga marsi i vitit 2015.

***

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë për tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 2 906 biznese vendore dhe 137 të huaja.
Krahasuar me vitin e kaluar, numri i bizneseve këtë vit ka shënuar rritje për 280 biznese vendore dhe 37 të huaja. Njohës të çështjeve ekonomike dhe të biznesit kanë thënë se rritja e numrit të bizneseve vjen në sajë të granteve dhe subvencioneve që jepen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si dhe nga mundësia e regjistrimit të bizneseve me zero kosto.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -

Fjalët Kyçe: Dragash , Gostivar , Kosova

Lajme të ngjashme