Shqipëria me strukturë moderne portuale për jahtet

Së shpejti do të nisë ndërtimi i Porto Albania, projekti i parë i këtij lloji në Shqipëri, bën të ditur Kompania londineze e jahteve Charterworld.

Shqipëria me strukturë moderne portuale për jahtet

Ky do të jetë porti i parë ndërkombëtar i jahteve në Shqipëri që do të përmbushë standardet evropianë për të strehuar rreth 720 anije me gjatësi deri në 75 metra.

Vendndodhja e favorshme gjeografike do të rrisë ndjeshëm popullaritetin e saj, kundrejt konkurrentëve të drejtpërdrejtë siç është Mali i Zi dhe Kroacia, por edhe destinacioneve turistike, si Greqia dhe Italia.

Porti është pjesë e një projekti të madh që do të përfshijë edhe ngritjen e strukturave akomoduese në tokë, si hotele, rezidenca, vila, dyqane tregtare, por edhe restorante, kafene, fusha golfi etj.

Ky është një investim që menaxhohet nga kompania zvicerane FINSEC Ltd Zug, në bashkëpunim me atë shqiptare FINSEC Port SHA Tirana. Charterworld shkruan se të dy kompanitë po punojnë për të krijuar një destinacion të veçantë në rajon.

Anëtari i bordit i kompanisë FINSEC, Peter Ruckstuhl, thotë se “Porti i jahteve është faza e parë e planit tonë të investimeve. Parashikohet që të shtrihet në 170 hektarë dhe të ketë hotele, fusha golfi, etj”.

Por, ekspertët e këtij sektori thonë se Shqipëria nuk ofron kushte për të zhvilluar turizmin luksoz të jahteve, pasi nuk ka infrastrukturë mbështetëse në tokë, siç janë hotelet, resortet etj. Mali i Zi vlerësohet si një nga destinacionet me infrastrukturën më moderne të ankorimit të jahteve.


Fjalët Kyçe: Porto Albania , Shqipëri , jahte

Lajme të ngjashme