BSH: Kreditë problematike arrijnë nivelin 24,2 për qind në 2014-n

Banka e Shqipërisë (BSH) bëri të ditur se në fund të vitit 2014 niveli i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar ishte 24,2 për qind.

BSH: Kreditë problematike arrijnë nivelin 24,2 për qind në 2014-n

Siç bën të ditur BSH-ja, ky tregues pritet që të ulet gjatë vitit 2015, falë kthimit të rritjes sasiore të kredisë dhe pastrimit të bilanceve nga kreditë e humbura dhe pa shpresë kthimi.

Ndryshimet, si në rregulloren përkatëse të Bankës së Shqipërisë, ashtu edhe në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, që lidhet me njohjen e kredive të fshira si shpenzime fiskale të zbritshme, për ekspertët e fushës do të thotë një nivel më i reduktuar për kreditë problematike në 2015-n. Referuar statistikave, nivelin më të lartë të kredive me probleme e ka Serbia me 23 për qind, e ndjekur nga Mali i Zi me 17,2 për qind.

Vendet, ku shkalla e kredive me probleme është më e ulët sesa mesatarja rajonale, janë Bosnjë-Hercegovina me 15,5 për qind, Maqedonia me 11,3 për qind, ndërsa vendi me nivelin më të ulët të kredive me probleme në rajon është Kosova me 8,2 për qind. Nivelet rekord të kredive me probleme në Evropë vazhdojnë t’i mbajnë shtetet, që u goditën ashpër nga kriza financiare, duke filluar nga Qiproja dhe Greqia, ku kreditë me probeme janë mbi nivelin 30 për qind.

Nivele të larta të kredive me probleme kanë edhe Irlanda me 25,3 për qind, Rumania me 22,3 për qind dhe Hungaria, Italia e Kroacia me rreth 16 për qind.

Duhet theksuar megjithatë se Shqipëria ka rregulla më të rrepta për klasifikimin e kredive me probleme dhe përfshin si të tilla ato me vonesë mbi 90 ditë, ndërsa shumica e vendeve të tjera konsiderojnë si kredi me probleme ato në vonesë mbi 180 ditë.

Gjatë vitit 2014, kreditë me probleme të sistemit bankar shqiptar rezultuan më të stabilizuara, në intervalin mes 24 dhe 25 për qind.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme