Hyjnë në kthesën e fundit përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të tensionit Rusi-Ukrainë

Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën propozimeve të Rusisë për garancitë e sigurisë, ka njoftuar Ministria e Jashtme ruse.

1768875
Hyjnë në kthesën e fundit përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të tensionit Rusi-Ukrainë

Rusia njoftoi se ka marrë një përgjigje me shkrim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në lidhje me ofertat e sigurisë që kishte paraqitur muajin e kaluar.

Të mërkurën, më 26 janar, ambasadori amerikan në Moskë John Sullivan dorëzoi përgjigjen me shkrim të Uashingtonit për projekttraktatin dypalësh për garancitë e sigurisë të paraqitur më parë nga pala ruse.

Kështu thuhet në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Jashtme ruse.

Sipas deklaratës, diplomati amerikan u prit në takim nga zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko.

“Ambasadori amerikan dorëzoi përgjigjen me shkrim të ShBA-së ndaj propozimeve të Rusisë për sigurinë”, thuhet shprehimisht në komunikatën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Nga ana tjetër, pala amerikane deklaroi se nuk do ta bëjë të ditur përmbajtjen e letrës që i është përcjellë Moskës, përmes të cilës “ShBA-ja bën të ditur se është e hapur për dialog dhe preferon diplomacinë", dhe se presin të njëjtin qëndrim edhe nga pala ruse.

“Ne i përcollëm Rusisë shqetësimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken në lidhje me letrën.

“Pjesa tjetër varet nga Rusia. Ne jemi gati për të dyja situatat. Në rast të agresionit të Rusisë (në Ukrainë), ne nuk do të lejojmë një krizë globale energjetike”, tha Blinken, duke shtuar se edhe NATO do t'i japë gjithashtu një përgjigje me shkrim ofertave të sigurisë së Moskës.

Sekretari amerikan i Shtetit deklaroi gjithashtu se Uashingtoni e ka refuzuar  ofertën e Rusisë për mos-anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

 


Lajme të ngjashme