Ish-lideri i FARC, "El Paisa" u vra në Venezuelë

Ish-udhëheqësi i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), Hernan Dario Velasquez, i cili i "dorëzoi armët" me marrëveshjen e paqes që u arrit në Kolumbi, është vrarë në Venezuelë, raporton BBC.

1743570
Ish-lideri i FARC, "El Paisa" u vra në Venezuelë

Sipas një lajmi të BBC-së, Velasquez, i njohur me pseudonimin "El Paisa", u qëllua për vdekje në shtetin Apure të Venezuelës.

Teksa ushtria kolumbiane nuk e ka konfirmuar informacionin për vrasjen e Velasquez, mediat lokale pretendojnë se ish-lideri i FARC mund të jetë vrarë nga "mercenarët" për të marrë shpërblimin e vendosur për kapjen e tij.

Thuhet se Velasquez, i cili u bë i njohur me aktet e tij të dhunës, qëndron pas sulmit me bombë në Bogota në vitin 2003, ku humbën jetën 36 persona dhe u plagosën rreth 200 tjerë.

Emri i Velasquez doli në plan të parë në vitin 2016, gjatë bisedimeve të paqes që ai mbajti në Havana dhe në vitin 2019 kur organizata e drejtuar nga ai bëri thirrje për armatosje për t'i dhënë fund armëpushimit.

Një nga ish-komandantët e FARC, 53-vjeçari Jesus Santrich, emri i vërtetë i të cilit është Seuxis Paucias Hernandez Solarte, vdiq më 17 maj në një pritë të organizuar nga komandot e ushtrisë kolumbiane.

Në Kolumbi, një vend me popullsi mbi 48 milionë banorë, konflikti i brendshëm midis shtetit dhe FARC-ut zgjati 52 vjet dhe shkaktoi vdekjen e rreth 260.000 njerëzve dhe emigrimin e 6 milionë personave.

FARC hyri për herë të parë në parlament në vitin 2018 dhe sot përfaqësohet nga 5 anëtarë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ish-militani i FARC-ut, Guillermo Torres, fitoi me sukses zgjedhjet për kryebashkiak në zgjedhjet lokale të vendit më 27 tetor 2019.

Gjithashtu, ish-luftëtarja e FARC-ut Sandra Ramirez u bë zëvendëskryetarja e dytë e Senatit Kolumbian.



Lajme të ngjashme