Sergey Lavrov: NATO-ja nuk dëshiron asnjë ndërveprim me Rusinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, deklaroi se NATO-ja nuk dëshiron asnjë ndërveprim me vendin e tij.

1727615
Sergey Lavrov: NATO-ja nuk dëshiron asnjë ndërveprim me Rusinë

Ky vlerësim i shefit të diplomacisë ruse erdhi teksa u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve pas Samitit të Liderëve të G20 në kryeqytetin Romë të Italisë.

I pyetur nëse ka ardhur ndonjë sinjal nga NATO-ja për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë, Sergey Lavrov tha se Moska nuk ka asnjë informacion se çfarë do të bëjë Aleanca.

“Ne bazohemi në fakte dhe këto fakte tregojnë se NATO-ja nuk dëshiron asnjë ndërveprim me ne”, u shpreh ai.

“E vetmja gjë që Aleanca donte nga Moska kur punonte Këshilli Rusi-NATO ishte të na mësonte si të jetonim dhe të mblidheshim për çështjen e Ukrainës”, shtoi ministri Lavrov.

Sipas tij, të gjitha interesat e tyre ishin të nxisnin propagandën dhe të bënin presion mbi Rusinë.

“Por mjaft më, tani kjo punë ka marrë fund”, nënvizoi ai.

Lavrov tha se NATO-ja tani mund të dërgojë sinjale për çdo çështje nëpërmjet ambasadorit rus në Belgjikë.

Vlen të kujtojmë se NATO-ja njoftoi më 6 tetor reduktimin e stafit të misionit rus në selinë e Aleancës në Belgjikë në 10 anëtarë, nga 20 që ishte më parë, duke anuluar akreditimin e 8 diplomatëve dhe shkrirë 2 pozicione vakante. Kurse më pas, Aleanca u kërkoi diplomatëve rusë të largoheshin nga Brukseli deri në fund të tetorit.

Më 18 tetor, Sergey Lavrov njoftoi se Rusia do të pezullonte misionin e saj në NATO duke filluar nga nëntori si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Aleancës. Ai bëri me dije se do të ndërpritej gjithashtu puna e misionit të ndërlidhjes ushtarake të NATO-s dhe zyrës së informacionit në Moskë.

Duke iu referuar pranisë ushtarake amerikane në rritje në Detin e Zi, kryediplomati rus argumentoi se vendimi i Uashingtonit për të dërguar anije luftarake atje nuk kontribuonte në stabilitetin e rajonit.

“Rusia kërkon bashkëpunim në rajon, jo konfrontim”, potencoi ministri Lavrov duke paralajmëruar se Moska është e gatshme të shmangë çdo kërcënim dhe të ruajë sigurinë e saj në Detin e Zi.



Lajme të ngjashme