BE-ja e kënaqur nga vendimi i palëve siriane për të filluar hartimin e kushtetutës së re të vendit

Bashkimi Evropian u shpreh i kënaqur të martën me vendimin e regjimit të Bashar al-Assadit dhe delegacionit të opozitës siriane për të filluar punën mbi hartimin e kushtetutës së re të vendit në qytetin Gjenevë të Zvicrës.

1722000
BE-ja e kënaqur nga vendimi i palëve siriane për të filluar hartimin e kushtetutës së re të vendit

Zyra e Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, e cilësoi si "inkurajuese" akordin mes palëve për të filluar hartimin e kushtetutës.

“BE-ja mbështet plotësisht përpjekjet e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir O. Pedersen, për të bërë përparim në të gjithë elementët e Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (udhërrëfyesi për zgjidhjen politike)”, thuhet në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga zyra e shefit të diplomacisë evropiane.

Deklarata vë në pah se çdo zgjidhje e qëndrueshme e konfliktit në Siri kërkon një tranzicion të vërtetë politik në përputhje me këtë vendim dhe se BE-ja thekson gjithashtu rëndësinë e arritjes së progresit në lidhje me dosjen e të burgosurve.

Po ashtu deklarata e zyrës së Borrel ndan pikëpamjen se “BE-ja është e shqetësuar për rritjen e fundit të dhunës në Siri”.

Raundi i gjashtë i takimeve të Komitetit Kushtetues Sirian në Zyrën e OKB-së në Gjenevë filloi të hënën nën kryesinë e të dërguarit special, Pedersen.



Lajme të ngjashme