Rusia pret përgjigje nga talibanët rreth pjesëmarrjes së tyre në takimin për Afganistanin

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, deklaroi të martën se ata presin një përgjigje nga talibanët lidhur me pjesëmarrjen e tyre në takimin që do të mbahet në Formatin e Moskës, më 20 tetor, për çështjen e Afganistanit.

1718564
Rusia pret përgjigje nga talibanët rreth pjesëmarrjes së tyre në takimin për Afganistanin

Sergey Lavrov bëri një deklaratë pas Takimit 6. të Ministrave të Jashtëm të Konferencës mbi Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA), mbajtur në kryeqytetin Nur-Sultan të Kazakistanit.

Shefi i diplomacisë ruse bëri me dije se janë duke vazhduar përgatitjet për takimin në Formatin e Moskës, më 20 tetor, lidhur me çështjen e Afganistanit.

Duke theksuar se të ftuar në këtë takim janë gjithashtu përfaqësuesit e talibanëve, Lavrov vijoi me këto fjalë: “Ne po marrim përgjigje nga njerëzit që kemi ftuar në takim. Në lidhje me këtë çështje, ne presim një përgjigje edhe nga talibanët. Shpresoj që ata ta kenë kuptuar rëndësinë e këtij takimi.”

I pyetur nëse Rusia do të sigurojë ndihma humanitare për Afganistanin, ministri Lavrov u përgjigj duke thënë se Moska është pro mbështetjes së afganëve me ndihma humanitare.

“Ne do të donim të propozonim një konferencë me disa vende nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht në takimin e Moskës, për të mbështetur Afganistanin duke përfshirë këtu edhe të ndihmat humanitare”, sqaroi ai.

Përfaqësuesi special i Presidentit Vladimir Putin për Afganistanin, Zamir Kabulov, njoftoi se një takim do të mbahet në Formatin e Moskës më 20 tetor dhe se është planifikuar gjithashtu një takim i zgjeruar trepalësh me Rusinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinën dhe Pakistanin, për çështjen e Afganistanit.



Lajme të ngjashme