Qiproja e Veriut reagon ndaj deklaratës së Borrell për Marashin e Mbyllur

"Marashi i Mbyllur është territor i RTQV-së dhe si çdo shtet tjetër, edhe shteti ynë ka sovranitet absolut mbi territorin e vet", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RTQV-së.

1678166
Qiproja e Veriut reagon ndaj deklaratës së Borrell për Marashin e Mbyllur

Republika Turke e Qipros së Veriut (RTQV) ka reaguar ndaj Bashkimit Evropian (BE).

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të RTQV-së, raportohet se Nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë një vlerësim të njëanshëm duke mbështetur Administratën Grekoqipriote.

Vlerësimi i Borrell për Marashin (Varosha) e Mbyllur zbuloi edhe një herë se BE-ja nuk dëshiron të jetë neutrale në çështjen qipriote, vijon deklarata.

"Marashi i Mbyllur është territor i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), dhe si çdo shtet tjetër edhe shteti ynë ka sovranitet absolut mbi territorin e vet. Vendimi i marrë nga Presidenti dhe Qeveria jonë në lidhje me Marashin e Mbyllur dhe i shpallur nga Presidenti ynë në këtë ditë shumë të rëndësishme për popullin turkoqipriot duhet të vlerësohet brenda kësaj kornize. Ashtu si vendimi që kemi marrë në këtë fazë për të hequr statusin e zonës ushtarake për një pjesë të Marashit të Mbyllur, po ashtu edhe vendimet që do të merren në të ardhmen në lidhje me këtë zonë do të merren duke respektuar në mënyrë absolute të drejtën e pronës”,- thuhet në vijim të deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qipros së Veriut (RTQV).

Deklarata nënvizoi se deklaratat e zyrtarëve të BE, të cilët vazhdojnë mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për Administratën Grekoqipriote, nuk kanë ndonjë rëndësi morale dhe thotë se janë të kota referencat e Borrellit ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë kundër vullnetit të popullit turkoqipriot dhe tashmë janë kthyer në një mbetje të së kaluarës.

Populli turk i Qiprios e ka marrë vendimin e tij lidhur me modelin e zgjidhjes së çështjes qipriote, dhe ky vendim bazohet në respektimin e barazisë sovrane dhe statusit të barabartë ndërkombëtar të RTQV-së, dhe se shpejt ose vonë BE-ja do ta kuptojë këtë fakt, vijon deklarata.

"Përkundër deklaratave kërcënuese të BE-së, të cilat madje injorojnë ekzistencën e popullit qipriot turk, ne theksojmë edhe një herë në këtë ditë kuptimplotë se jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat dhe interesat tona legjitime së bashku me Turqinë që është atdheu ynë mëmë”,- përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RTQV-së.

 


Lajme të ngjashme