Rusia fillon stërvitjen ushtarake të shkallës së gjerë në Paqësor

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi të enjten fillimin e një stërvitjeje ushtarake të madhe në pjesën qendrore të oqeanit Paqësor.

1655660
Rusia fillon stërvitjen ushtarake të shkallës së gjerë në Paqësor

Sipas një deklarate të Ministrisë, stërvitja po kryhet në përputhje me planin e përgatitjes së komandës ushtarake dhe njësive të kontrollit të trupave të Flotës së Paqësorit, në pjesën qendrore të oqeanit.

“Flota është dislokuar në një zonë të caktuar rreth 4.000 km nga zona e bazës dhe misionit, në qendër të oqeanit. Në stërvitje marrin pjesë 20 luftanije, 20 mjete ajrore pa pilot, aeroplanë zbulues «Tu-142M3» dhe avionë luftarakë «Mig-31BM»”, theksoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Në kuadër të stërvitjes, do të kryhen misionet e menaxhimit të një grupi heterogjen të forcave në një distancë të konsiderueshme nga pikat bazë për mbrojtjen e detit (oqeanit) dhe komunikimeve detare, organizimit të ndërveprimit të grupeve operacionale të anijeve e avionëve, si dhe praktikës për të kërkuar e gjurmuar nëndetëset dhe grupimet e anijeve të një armiku imagjinar”, shtoi ajo.

Stërvitja ushtarake ruse filloi një javë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan stërvitjet ushtarake “Agile Dagger 2021” në Paqësor “për të vlerësuar gatishmërinë luftarake dhe për të provuar potencialin e forcave të kombinuara”.

As Rusia dhe as SHBA-ja nuk e specifikuan kohëzgjatjen e këtyre stërvitjeve ushtarake.



Lajme të ngjashme