Angela Merkel: Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e opozitarit rus, Alexei Navalny

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shpreh të martën shumë e shqetësuar për gjendjen e opozitarit rus në grevë urie, Alexei Navalny, gjatë një videokonference para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

1625118
Angela Merkel: Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e opozitarit rus, Alexei Navalny

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga situata e Alexei Navalnyt dhe qeveria gjermane po punon për të siguruar që ai të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor”, deklaroi Merkel.

“Po përpiqemi të përdorim influencën tonë”, shtoi kryeqeveritarja e Gjermanisë, vend që mban prej nëntorit deri në maj presidencën e radhës së Këshillit të Evropës, organizatë panevropiane me 47 shtete anëtare duke përfshirë edhe Rusinë.

Angela Merkel theksoi gjithashtu se sa i rëndësishëm ishte fakti që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, krahu gjyqësor i Këshillit të Evropës, kërkoi lirimin e opozitarit kryesor të Kremlinit.

“Ne kemi shumë konflikte me Rusinë, të cilat fatkeqësisht e bëjnë të vështirë marrëdhënien tonë, por unë jam gjithmonë në favor të vazhdimit të bisedimeve”, shtoi ajo.

Merkel u ndal edhe mbi zhvillimet në kufirin ruso-ukrainas duke e përshkruar situatën e atjeshme si “të tensionuar më masë shqetësuese”, teksa Rusia po grumbullon trupa në kufirin me Ukrainën.



Lajme të ngjashme