ShBA mbështet një Qipro të bashkuar bikomunale dhe bizonale

"Ne mbështesim një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do ta bashkojë Qipron si një federatë bikomunale dhe bizonale", tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken para Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

1599109
ShBA mbështet një Qipro të bashkuar bikomunale dhe bizonale

Në dëshminë para Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri një vlerësim edhe procesit të negociatave të Qipros.

I pyetur se cili është pozicioni i administratës amerikane për takimin jozyrtar mbi Qipron që do të mbahet muajin e ardhshëm në Gjenevë, Blinken tha:

“Ne mbështesim fuqimisht një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të bashkojë Qipron si një federatë bizonale dhe bikomunale. Ne do të mbështesim përpjekjet që e forcojnë këtë qasje, përfshirë edhe rolin kritik të Kombeve të Bashkuara (OKB)".

Blinken deklaroi se ShBA-ja do të angazhohet me diplomacinë e saj drejtpërdrejt në negociatat e Qipros.

Gjatë takimit joformal të planifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres mbi çështjen e Qipros në Gjenevë në datat 27-29 prill do të diskutohet nëse palët mund të takohen në një platformë të përbashkët negocimi.

Komentet vijnë ndërsa Turqia dhe Greqia po përgatiten për një raund të dytë bisedimesh eksploruese këtë vit, që synojnë gjetjen e zgjidhjeve për mosmarrëveshjet në Egje dhe Mesdheun Lindor.

Raundi i radhës i bisedimeve konsultative midis dy vendeve do të mbahet në Athinë më 16-17 mars dhe pritet të përqendrohet në mosmarrëveshjet dypalëshe, duke përfshirë kufijtë detarë dhe të drejtat e shpimit në rajon.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, i ka hedhur poshtë pretendimet e Greqisë dhe administratës grekoqipriote lidhur me kufijtë detarë, duke thënë se pretendimet janë të tepruara dhe shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe qipriotëve turq. 

 


Lajme të ngjashme