Libia dënon vendimin e Parlamentit të Egjiptit për ndërhyrje ushtarake: Shpallje lufte

Parlamenti i Libisë dënoi të martën vonë vendimin e Parlamentit të Egjiptit për të autorizuar Presidentin Abdel Fattah el-Sisi që të ndërhyjë ushtarakisht në Libi.

1459655
Libia dënon vendimin e Parlamentit të Egjiptit për ndërhyrje ushtarake: Shpallje lufte

“Ne e refuzojmë plotësisht vendimin e Parlamentit të Egjiptit, bazuar në një ftesë të paligjshme nga ata që pretendojnë se përfaqësojnë fiset libiane nën maskën e «parlamentit»”, tha përmes një deklarate të shkruar Parlamenti i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli, i cili gëzon njohjen e Kombeve të Bashkuara, duke iu referuar Dhomës së Përfaqësuesve në Tobruk – e lidhur ngushtë me puçistin Khalifa Haftar, lider i forcave të armatosura ilegale në lindje të vendit.

Po ashtu Parlamenti kërkoi nga qeveria që “të jetë e gatshme t'i përgjigjet politikisht dhe praktikisht këtij kërcënimi dhe të marrë në konsideratë çdo mundësi për të dhënë përgjigjen e duhur”.

“Libia nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Egjiptit që Parlamenti egjiptian të kërcënojë me ndërhyrje ushtarake”, u tha në fund të deklaratës së Parlamentit libian.

Vendimi i parlamentit egjiptian, shpallje lufte”

Kurse ministri i Punëve të Brendshme të Libisë, Fathi Bashagha, e përshkroi si “shpallje lufte” vendimin e Parlamentit egjiptian për autorizimin e Sisit që të ndërhyjë ushtarakisht në Libi.

“Miratimi nga Parlamenti egjiptian i dërgimit të trupave jashtë kufijve perëndimorë të vendit është një deklaratë lufte për Libinë dhe shkel kartat e Lidhjes Arabe dhe Kombeve të Bashkuara”, tha Bashagha të martën vonë përmes një mesazhi në rrjetin social “Twitter”.

“Ne do të konsiderojmë armik çdo forcë të huaj brenda kufijve tanë. Nuk do të hezitojmë për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe lirinë e kombit tonë”, theksoi ministri i Brendshëm libian.

Parlamenti i Egjiptit miratoi të hënën një propozim që autorizon ndërhyrjen ushtarake në Libinë fqinje, një veprim që ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet në Afrikën e Veriut.

Në një votim sekret të kryesuar nga Kryeparlamentari Ali Abdel Aal, Parlamenti egjiptian autorizoi Presidentin Abdel Fattah el-Sisi që “të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare të vendit”.



Lajme të ngjashme