SHBA-ja dënon sulmin vdekjeprurës me bombë në veriperëndim të Sirisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës “dënuan me forcë” të hënën një sulm terrorist pranë një tregu në Sudju, afër Azazit dhe kalimit kufitar Bab al-Salam në veriperëndim të Sirisë.

1459028
SHBA-ja dënon sulmin vdekjeprurës me bombë në veriperëndim të Sirisë

Të paktën 8 njerëz u vranë dhe më shumë se 80 të tjerë u plagosën pasi një autobombë shpërtheu në qytetin Azaz të dielën.

“Ne paraqesim dhembshurinë tonë më të thellë për të gjithë ata që janë dëmtuar në këtë tragjedi të pakuptimtë”, tha në një deklaratë Morgan Ortagus, një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Siç e kemi thënë edhe në të kaluarën, akte të tilla nga cilado palë në këtë konflikt janë të papranueshme dhe sulmet kundër civilëve s'mund të justifikohen kurrë”, theksoi ajo.

Asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësi për këtë sulm vdekjeprurës me autobombë.

Sidoqoftë, një burim i sigurisë nën mbrojtjen e anonimatit bëri me dije se terroristët e YPG/PKK-së kryejnë sulme të tilla, por nuk marrin përgjegjësinë e tyre për faktin se në këto akte po dëmtohen civilët.

Zëdhënësja Ortagus u rikujtoi të gjitha palëve se “dhuna pengon shpresën për një zgjidhje të qëndrueshme politike” për konfliktin sirian në kuadër të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa vuri në pah se Uashingtoni mbështet një armëpushim mbarëkombëtar në vendin e shkatërruar nga lufta.

Organizata separatiste terroriste YPG/PKK, e cila vazhdon të sulmojë nga zonat Tel Rifaat dhe Manbij të Sirisë, shpeshherë vë në shënjestër qytetet Jarabulus, Azaz dhe Afrin.

Që nga viti 2016, Turqia ka filluar 3 operacione antiterroriste të suksesshme – “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes” (2019) – përgjatë tërë vijës kufitare të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar një jetesë paqësore për banorët.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja – e klasifikuar si organizatë terroriste jo vetëm nga Turqia, por gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshi këtu gra, të moshuar, fëmijë dhe foshnja. Ndërsa YPG-ja është fraksioni sirian i PKK-së.



Lajme të ngjashme