Ndërkohë që OBSH-ja heton koronavirusin në Kinë pandiemia vazhdon me marrjen e jetëve të njerëzve

Epidemia e llojit të ri të koronavirusit vazhdon të marrë jetët e njerëzve në mbarë botën.

1454235
Ndërkohë që OBSH-ja heton koronavirusin në Kinë pandiemia vazhdon me marrjen e jetëve të njerëzve

Kina ka njoftuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është pajtuar të hetojë origjinën e koronavirusit të ri (COVID-19) në të gjithë globin.

Siç raportoi e përditshmja “Global Times”, duke u adresuar në një konferencë për media në Pekin, zëdhënësja e Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Hua Chunying, tha se "dy ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) arritën në Kinë për të kryer punën e gjurmimit të origjinës të virusit COVID-19".

"Kina dhe OBSH janë pajtuar se gjurmimi i origjinës është çështje shkencore. Prandaj, OBSH do të kryejë hetime të ngjashme në të gjithë botën", tha Chunying.

Të premten, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se dy ekspertë të OBSH-së po shkojnë në Kinë për të bashkëvepruar me shkencëtarët atje për të studiuar transmetimin e koronavisurit nga kafshët tek njerëzit.

"Përderisa vazhdojmë të përballemi me pandeminë, po ashtu po kërkojmë origjinën e virusit", tha Adhanom, duke u adresuar në një konferencë online.

Masa e OBSH-së vjen në mes të një kritike të ashpër nga SHBA-të dhe aleatët e saj se po kërkojnë hetime për origjinën e virusit COVID-19, veprim që zemëroi Pekinin.

Shefi i OBSH-së po ashtu tha se ekspertët global të shëndetit do të përgatisin një plan shkencor me homologët e tyre kinezë për të identifikuar burimin zoonotik të virusit COVID-19.

Adhanom tha se shkencëtarët duan të mësojnë në lidhje me përparimin e bërë në kuptimin e rezervuarit të kafshëve për COVID-19 dhe se si sëmundja ngjitet tek njerëzit nga kafshët.

"Kjo do të ndihmojë në krijimin e bazave për misionin ndërkombëtar të udhëhequr nga OBSH për zbulimin e origjinës", u shpreh ai.

Që nga shfaqja për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi në mbarë botën ka vrarë pothuajse 570 mijë njerëz.

Sipas shifrave nga Universiteti amerikan John Hopkins, SHBA, Brazili, India dhe Rusia janë vendet më të prekura nga pandemia COVID-19.

Të dhënat tregojnë se deri më tani mbi 7.1 milionë persona në mbarë botën, respektivisht më shumë se gjysma e të gjithë personave të infektuar me koronavirus janë shëruar.

Ndërkaq rastet ditore të infeksioneve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Rusi vazhdojnë të tejkalojnë shifrën 6 mijë për tre javë radhazi.

Autoritetet shëndetësore njoftuan se gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 6.537 infeksione të reja, duke e çuar në 733.699 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend.

Ndërkohë, 2.960 pacientë të tjerë u shëruan dhe u lëshuan në shtëpi, me çka numri i përgjithshëm i pacientëve që fituan betejën me virusin u rrit në 504.021.

Numri i vdekjeve po ashtu është rritur në 11.439, me 104 vdekje të reja të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.

Rusia vazhdon testimet për të zbuluar infeksionet në faza të hershme. Deri më sot, vendi ka kryer mbi 22 milionë teste të dyshuara për COVID-19.

Dje, një zyrtar i lartë në Universitetin e Parë Mjekësor Shtetëror të Moskës, Vadim Tarasov, tha se provat e njërës prej vaksinave kundër koronavirusit "kanë përfunduar me sukses".

Vaksina të tjera, përfshirë një vaksinë të posaçme për fëmijë, po testohen në disa laboratorë në të gjithë vendin.

Në kontinentin e Afrikës është rritur në 598.236 numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19).

Sipas faqes së internetit "Worldometer", e cila përpilon informacionet më të fundit mbi pandeminë, në gjithë kontinentin janë shënuar 16.596 raste të reja me COVID-19, duke e rritur në 598.236 numrin e rasteve, ndërsa me 256 vdekjet e reja, numri i viktimave arrin në 13.285.

Numri më i lartë i viktimave nga COVID-19 në kontinent është regjistruar në Afrikën e Jugut, me 4.079, ndërsa në Egjipt janë regjistruar 3.858, në Algjeri 1.011, Nigeri 740 dhe Sudan 650 vdekje.

Ndërkohë, numri i të shëruarve në Afrikë është afro 300 mijë.

Vendet me numrin më të madh të rasteve në kontinent janë Afrika e Jugut me afër 276.242 raste, Egjipti me 82.070 dhe Nigeria me 32.558 raste.

Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 117 raste të tjera me koronavirusin e ri (COVID-19), një shifër rekord, ndërkohë edhe dy persona të tjerë kanë ndërruar jetë nga virusi.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë është rritur në 3.571 dhe numri i të vdekurve në 95.

Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 585 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe rastet e reja pozitive janë shënuar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

“Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit. Është një situatë serioze epidemiologjike e COVID-19 në të gjitha elementët e vlerësimit të saj”, ka theksuar ministria.

Ndërkohë janë shëruar edhe 68 qytetarë, duke e rritur në 2.014 numrin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë dhe aktualisht janë 1.462 persona aktivë me koronavirus.

Deri tani janë kryer gjithsej 32.938 testime dhe Instituti i Shëndetit Publik vazhdon punën në terren për gjurmimin e rasteve të dyshuara me koronavirus.

 

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe një person i diagnostikuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19) ka vdekur, duke çuar në 102 numrin e të vdekurve nga ky virus.

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) edhe 216 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve në nivel vendi ka shkuar në 4.931 raste.

Rastet pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Prishtinës.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 493 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt e këtij viti deri më tani janë testuar gjithsej 28.216 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve nga ky virus, këto të dhëna njoftojnë për 40 pacientë të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 2.267 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.562.

Maqedonia e Veriut vazhdon me përgatitjet për valën e dytë të epidemisë në vjeshtë dhe me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Sëmundje Infektive formon “Qendra për COVID” në 16 komuna të vendit.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë Venko FIipçe deklaroi se nuk presin befasi në fluksin e infektimeve. (AA)  



Lajme të ngjashme