SHBA – Presidenti Donald Trump refuzon pretendimet në librin e ish-këshilltarit John Bolton

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, hodhi poshtë të mërkurën pretendimet e ish-këshilltarit të tij të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, se “ai ka kërkuar ndihmën e Kinës në zgjedhjet e 2020-s dhe se mbështet politikat e Pekinit”.

1438672
SHBA – Presidenti Donald Trump refuzon pretendimet në librin e ish-këshilltarit John Bolton

Trump bëri një deklaratë pasi në disa pjesë të pasqyruara në media nga libri i Boltonit me titullin “Dhoma ku ndodhi: Shënime biografike të Shtëpisë së Bardhë”, planifikuar të publikohet në fund të këtij muaji, ka akuza të ndryshme kundër tij lidhur me politikat për Kinën dhe disa vende të tjera.

“Asnjë president i SHBA-së deri më sot nuk është sjellë kaq ashpër sa unë me Kinën dhe Rusinë”, deklaroi Trump gjatë një lidhjeje telefonike në emisionin e drejtuar nga Sean Hannity, në televizionin “Fox”.

Lideri amerikan tha se i kishte dhënë Boltonit një shans duke e emëruar atë në postin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare dhe shtoi: “Boltoni ka bërë kundërvajtje ligjore duke e shkruar këtë libër. Këto ishin informacione sekrete të nivelit të lartë dhe ai i publikoi këto.”

Ndërsa në një prononcim për gazetën “The Wall Street Journal” në lidhje me pretendimet në librin e Boltonit, Trumpi mbrojti politikën e tij të jashtme për Kinën dhe refuzoi akuzat se mbështet Pekinin për sa i takon ujgurëve.

“Kjo nuk është aspak e drejtë”, u shpreh ai për pretendimet kinse mbështeste Presidentin e Kinës, Xi Jinping, lidhur me kampet e përqendrimit në Rajonin Autonom Ujgur të Shinxhanit, duke rikujtuar gjithashtu se ai ka dekretuar edhe një ligj sanksionues kundër Kinës për këtë çështje.

“Boltoni është një gënjeshtar. Të gjithë në Shtëpinë e Bardhë e urrejnë atë. Unë personalisht mendova se ishte i çmendur”, tha presidenti amerikan mes të tjerash.



Lajme të ngjashme