NATO mblidhet të premten pas vendimit të SHBA-së për t'u tërhequr nga OSA

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) vendosi të mblidhet të premten pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se vendi i tij do të tërhiqej nga Traktati i Qiejve të Hapur (OSA).

1421800
NATO mblidhet të premten pas vendimit të SHBA-së për t'u tërhequr nga OSA

Një zyrtar i NATO-s tha në një deklaratë se vendet anëtare pajtohen që marrëveshjet e kontrollit të armatimit dhe çarmatimit kontribuojnë ndjeshëm në sigurinë e Aleancës.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar që Rusia do të kufizojë fluturimet në disa zona”, tha zyrtari i NATO-s duke theksuar se gjatë Samitit të NATO-s 2018 në Bruksel, aleatët kishin shprehur shqetësime për zbatimin e pjesshëm të OSA-s nga ana e Rusisë.

“Do të tërhiqemi nga marrëveshja derisa Rusia të zbatojë përgjegjësitë e saj”, deklaroi të enjten Presidenti amerikan, Donald Trump.

Rusia dhe SHBA-ja janë ndër 34 vendet nënshkruese të OSA-s, traktat që lejon fluturime të paarmatosura për të promovuar transparencën e aktiviteteve ushtarake dhe për të lehtësuar monitorimin e kontrollit të armëve dhe marrëveshjeve të tjera.

Nënshkruar në vitin 1992, ky traktat shërben si masë shtesë për sigurinë në kufijtë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Gjermania u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të rishqyrtojnë vendimin për t’u tërhequr nga OSA”, deklaroi gjithashtu të enjten ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, duke i kërkuar edhe Rusisë që të respektojë plotësisht detyrimet.

“Me partnerët tanë, ne do të investojmë në mënyrë që qeveria amerikane të rishqyrtojë vendimin e saj”, tha Maas duke vënë në dukje se Franca, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar kishin përsëritur për Uashingtonin se “vështirësitë nga pala ruse vitet e fundit nuk e justifikojnë këtë tërheqje”.



Lajme të ngjashme