Qeveria e Jemenit bëri thirrje për presion mbi huthitë për të pranuar armëpushimin

Shoqërisë ndërkombëtare dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së iu kërkua që të bëjnë presion ndaj huthive për t'iu përgjigjur pozitivisht thirrjes për armëpushim.

1396852
Qeveria e Jemenit bëri thirrje për presion mbi huthitë për të pranuar armëpushimin

Qeveria e Jemenit i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bëjë presion mbi huthitë për të pranuar armëpushimin e shpallur nga forcat e koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite.

Sipas agjencisë jemenase të lajmeve SABA, Ministria e Punëve të Jashtme tha se ishte e kënaqur me deklaratën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB), i cili mbështet vendimin e forcave të koalicionit për armëpushimin.

"Përgjigja pozitive e qeverisë jemenase ndaj armëpushimit të njoftuar të enjten e kaluar erdhi pas thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për armëpushim", thuhet në deklaratë.

Shoqërisë ndërkombëtare dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së iu kërkua që të bëjnë presion ndaj huthive për t'iu përgjigjur pozitivisht thirrjes për armëpushim.

Në deklaratë gjithashtu dënohen sulmet e milicisë së huthive dhe mospërgjigjja ndaj thirrjes për armëpushim.

Mohamed Abdusselam, zëdhënësi i huthive në Jemen, pretendoi se armëpushimi i deklaruar në mënyrë të njëanshme nga forcat e koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite është dezinformim dhe mashtrim.

Abdusselam, në deklaratën e tij të publikuar në televizionin huthit “Al-Mesira”, tha se sulmet tokësore dhe ajrore nga forcat e koalicionit vazhduan gjithnjë e më shumë.

Ndërkaq nga forcat e koalicionit nuk u bë ndonjë deklaratë në lidhje me këtë çështje.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite njoftuan se që nga 9 prilli kanë shpallur një armëpushim 2-javor në Jemen për shkak të epidemisë së Covid-19.

 


Lajme të ngjashme