Jemen – Palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit

Qeveria në Jemen dhe huthitët po akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit që hyri në fuqi të enjten e 9 prillit.

1395941
Jemen – Palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit

Zëdhënësi i ushtrisë jemenase, gjeneralbrigade Abdo Majli, deklaroi gjatë një prononcimi për “September Net”, një portal i varur nga Ministria e Mbrojtjes, se huthitët e kanë shkelur armëpushimin të paktën 74 herë kundër ushtrisë kombëtare në zona të ndryshme të vendit gjatë 24 orëve të fundit.

Krahas sulmeve me artileri të rëndë dhe raketa kundër ushtrisë, zyrtari ushtarak vuri në pah se ka pasur gjithashtu shkelje në formën sulmeve të drejtpërdrejta, ngritjes së dronëve në fluturim, vendosjes së minave dhe përqendrimeve ushtarake të ndryshme.

Gjenerali Majli saktësoi se shkeljet e armëpushimit janë bërë kryesisht në qytetet Sana, Bayda, Saidiyya, Jouf, Taizz, Abyan dhe Hajjah.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i huthitëve, Yahya Sarea, tha për agjencinë e lajmeve “Saba” se forcat qeveritare dhe Koalicioni Arab e kanë shkelur armëpushimin 99 herë në forma të ndryshme gjatë 24 orëve të fundit.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite shpallën të enjten paradite një armëpushim 2-javor me efekt të menjëhershëm në Jemen për shkak të pandemisë globale të koronavirusit të ri (COVID-19).

Në Jemen, vend ku paqëndrueshmëria mbisundon prej një kohe të gjatë, huthitët e mbështetur nga Irani mbajnë nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa zona të tjera të vendit që prej shtatorit 2014. Kurse forcat e Koalicionit Arab mbështesin qeverinë jemenase me operacione kundër huthitëve që prej marsit 2015.



Lajme të ngjashme