Bilanci i COVID-19: Mbi 1 milion të infektuar në botë; SHBA-ja e para, pastaj Spanja dhe Italia

Koronavirusi i ri (COVID-19) ka shkaktuar në mbarë botën mbi 55 mijë 130 vdekje dhe ka infektuar më shumë se 1 milion e 41 mijë e 100 njerëz, ndërkohë që pacientët e shëruar janë të paktën 221 mijë 200 deri më sot.

1390853
Bilanci i COVID-19: Mbi 1 milion të infektuar në botë; SHBA-ja e para, pastaj Spanja dhe Italia

Spanja ka raportuar deri më tani 10 mijë 935 të vdekur dhe 117 mijë e 710 të infektuar nga lloji i ri i virusit korona duke marrë kështu vendin e parë në Evropë për ka numri i rasteve të konfirmuara.

Italia, ku deri tani është ende e pamundur të ndalet vrulli i vdekjeve, ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit sa i përket të prekurve me Koronavirus. Numri i viktimave ka shkuar në 14 mijë e 681, që do të thotë janë 766 viktima më shumë ditën e fundit. Rastet janë shtuar me 4 mijë e 585 duke e çuar në 85 mijë e 388 numrin total të rasteve aktive. Numri i të shëruarave ka shkuar në 19 mijë e 758 dhe 4 mijë e 68 janë në gjendje kritike. Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa është sot pranë Italisë, por kërkoi të falur nga Roma zyrtare duke pohuar se kjo nuk zhvillohet përherë në të njëjtën mënyrë. Përmes një letre në adresë së gazetës “La Repubblica”, Von der Leyen theksoi se Italia është vendi më i prekur nga COVID-19 në mesin e shteteve anëtare të BE-së dhe vijoi me këto fjalë: “Nevoja dhe domosdoshmëria për të bashkëvepruar duhet të ishte dalluar qysh në fillim të kësaj krize, mirëpo të gjithë ishin të zënë me problemet e brendshme.” Nga ana tjetër, presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetit në Itali, Silvio Brusaferro, konfirmoi tendencën e rënies së numrit të rasteve të reja në epideminë e koronavirusit të ri, e cila vazhdon prej tashmë 6 javësh në vend.

Franca ka raportuar 471 vdekje të reja nga COVID-19 në 24 orët e fundit, gjë që e çon në gjithsej 4 mijë e 503 numrin e viktimave. Sipas një komunikate të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Francës, 4 ushtarë me mision në rajonin e Sahelit, në kuadër të Operacionit “Barkhane”, kanë rezultuar pozitivë në testet e virusit dhe 3 prej tyre janë kthyer në Francë. Ndërkaq, një depo në Tregun Ndërkombëtar Rungis të Parisit do të transformohet në morg për viktimat nga koronavirusi.

Gjermani numri i rasteve iu afrua 85 mijave, kurse jetët e humbura janë mbi 1 mijë e 100. Të paktën 2 mijë e 300 mjekë/e dhe infermierë/e janë infektuar në shkallë vendi. Për të mos u ngjarë vendeve me sistem shëndetësor tashmë të falimentuar, Gjermania po merr masa të njëpasnjëshme. Kapaciteti i shtretërve të kujdesit intensiv në spitalet gjermane u rrit nga 28 mijë në 40 mijë. Objektivi është sigurimi i pajisjeve për çdo pacient që ka nevojë për suport respirator. Gjermania mori përsipër edhe trajtimin e 113 pacientëve nga shtetet e tjera të BE-së. Ndërsa Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë fund karantinës së saj dyjavore dhe është kthyer në zyrë. Merkel është testuar disa herë për koronavirusin e ri, por ka rezultuar negative. Ajo ishte vetizoluar dhe punonte nga shtëpia, pasi më 20 mars u vaksinua nga një mjek që më vonë u zbulua se ishte infektuar.

Holanda kanë bërë me dije se numri i të vdekurve nga COVID-19 në vend ka arritur në 1 mijë e 487 duke shënuar një rritje me 148 gjatë ditës së fundit. Kurse rastet e reja janë rritur me 1 mijë e 26 dhe kanë shkuar në gjithsej 15 mijë e 723.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka publikuar shifrat e 24 orëve të fundit në lidhje me koronavirusin. Zyrtarët kanë konfirmuar se ka qenë dita më e zezë në vend me 684 vdekje në 24 orët e fundit. Numri total i vdekjeve ka shkuar në 3 mijë e 605, ndërsa të infektuar janë 38 mijë e 168. Kjo ka bërë që në ditën e sotme të kalojë edhe Kinën, e cila ka 3 mijë 322 vdekje. Kryeministri Boris Johnson bëri me dije nga vetizolimi në shtëpi se temperatura vazhdon të mos i ulet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i viktimave nga pandemia COVID-19 është rritur në 6 mijë e 58, pasi 921 persona kanë humbur jetën vetëm në 24 orët e fundit. Numri i rasteve me COVID-19 në SHBA është rritur në 245 mijë e 601, me 28 mijë e 879 raste të reja gjatë ditës së kaluar. SHBA-ja mbetet vendi numrin më të lartë të rasteve në botë, e ndjekur nga Spanja me 117 mijë e 710 të infektuar dhe Italia me 115 mijë e 242. Shtetet më të prekura nga virusi në SHBA janë respektivisht Nju-Jorku dhe Nju-Xhersi.

Kurse në Kanada, ku viktimat nga koronavirusi janë tashmë 173 dhe të infektuarit 10 mijë e 132, bëhet e ditur se institucionet shëndetësore kanë nevojë për 60 milionë maska të tipit “N95” dhe materiale mbrojtëse, por gjatë ditëve të fundit prej tyre janë siguruar vetëm 11 milionë maska dhe kanë filluar të shpërndahen në qendrat me nevojë më urgjente.

Australia regjistroi vdekjen e 28 nga koronavirusi që prej diagnostikimit të rastit të parë në fund të muajit janar, ndërkohë që infektimet e konfirmuara janë tashmë 5 mijë e 350 dhe pacientët e shëruar 520. Kryeministri Scott Morrison u bëri thirrje turistëve dhe studentëve të huaj që të kthehen në vendet përkatëse.

Brazil, shteti më i prekur në Amerikën Latine, numri i vdekjeve nga COVID-19 u rrit në 329 dhe i rasteve të konfirmuara në 8 mijë e 76. Presidenti Jair Bolsonaro reagoi kundër vendimit të guvernatorit të Rio-de-Zhanejros, Wilson Witzel, i cili ndaloi frekuentimin e plazheve dhe u bëri thirrje banorëve të qytetit që të mos dalin nga shtëpinë, me përjashtim të rasteve urgjente, për të penguar përhapjen e mëtejshme të virusit. “Të ndalosh frekuentimin e plazheve?! Oh Zot! Plazhet janë ambiente të hapura, nuk ka asnjë problem nëse shkoni atje”, tha ai.

Kurse në Peru, ku deri më tani janë 55 të vdekur dhe 1 mijë e 414 të infektuar nga koronavirusi, qeveria vendosi që gratë dhe burrat të dalin jashtë shtëpive në ditë të ndryshme për të parandaluar kontaminimin.

Nga ana tjetër, kjo pandemi globale ka shkaktuar deri më sot 1 mijë e 143 të vdekur në Belgjikë, 573 në Zvicër, 308 në Suedi, 209 në Portugali, 168 në Austri, 139 në Danimarkë, 116 në Rumani, 107 në Filipine, 98 në Irlandë, 59 në Poloni, 54 në Norvegji, 53 në Greqi dhe 50 në Meksikë.

Serbia ka gjithashtu një rritje të shpejtë të numrit të vdekjeve dhe rasteve nga koronavirusi. Në këtë vend, ku deri më tani kanë humbur jetën 31 persona dhe janë prekur të paktën 1 mijë 171 të tjerë, është shpallur ndalimqarkullimi nga ora 17:00 deri në 05:00 me kohën lokale. Masa shtesë kundër sëmundjes në fjalë janë marrë edhe për fundjavën, ku ndalimqarkullimi do të jenë në fuqi nga ora 13:00 e së shtunës deri në 05:00 të së hënës. Presidenti Aleksandar Vuçiç ka biseduar në telefon me homologët Vladimir Putin të Rusisë dhe Emmanuel Macron të Francës, prej të cilëve ka kërkuar edhe mbështetje për të luftuar me virusin. Materiale mjekësore dhe një grup mjekësh nga Rusia pritet të mbërrijnë të premten mbrëma në Beograd.

Bosnjë-Hercegovinë, ku vdekjet nga COVID-19 janë rritur në 17 dhe rastet në 552, thirrjes së qeverisë për ndihma në drejtim të shoqërisë ndërkombëtare i është përgjigjur Malajzia, e cila ka njoftuar se do të dërgojë 2 milionë maska.

Kroacia ka 7 vdekje dhe 111 raste, Sllovenia 20 vdekje dhe 934 raste, Hungaria 26 vdekje dhe 623 raste, Bullgaria 12 vdekje dhe 477 raste, Maqedonia e Veriut 11 vdekje dhe 384 raste, Shqipëria 17 vdekje dhe 304 raste, Mali i Zi 2 vdekje dhe 160 raste, Kosova 1 vdekje dhe 126 raste, Finlanda 19 vdekje dhe 1 mijë e 615 raste, ndërsa Estonia 12 vdekje dhe 961 raste.

Irani raportoi sot 134 vdekje të tjera për shkak të koronavirusit të ri gjatë 24 orëve të fundit duke e rritur numrin e vdekjeve në vend në 3 mijë e 294. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour, tha se 2 mijë e 715 persona më shumë u testuan pozitivë për COVID-19 duke e çuar numrin e rasteve të infektimeve në 53 mijë e 183. Ai njoftoi gjithashtu se 17 mijë e 935 persona janë shëruar deri më tani dhe 4 mijë e 35 pacientë janë në gjendje kritike.



Lajme të ngjashme