SHBA: Regjimi i Assadit vonon punën e Komitetit Kushtetues Sirian

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi të shtunën se regjimi i Bashar al-Assadit nuk mund të vazhdojë të vonojë progresin e Komitetit Kushtetues Sirian të lehtësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

1315471
SHBA: Regjimi i Assadit vonon punën e Komitetit Kushtetues Sirian

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin përpjekjet e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe përfaqësuesit special të OKB-së për Sirinë, Geir Pederson, për të përshpejtuar punën e Komitetit Kushtetues Sirian. Parakushtet e kërkuara nga regjimi i Asadit shkelin qartë rregullin e procedurës së Komitetit Kushtetues dhe janë një tentativë e ashpër për të vonuar punën e një përpjekjeje të rëndësishme që mbështetet si nga Grupi i Vogël për Sirinë ashtu dhe nga Grupi i Astanës”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

Ortagus theksoi përmes një komunikate të shkruar se Komiteti Kushtetues nuk mund të jetë e vetmja linjë përpjekjeje që ndiqet nga bashkësia ndërkombëtare në kuadër të Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ajo shtoi se duhet të sigurohen elemente të tjera, përfshi këtu lirimin e të ndaluarve, një armëpushim mbarëkombëtar dhe garantimin e një mjedisi të sigurt e neutral për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme nën mbikëqyrjen e plotë të OKB-së.

Komiteti Kushtetues Sirian formohet nga opozita, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e regjimit. I mbështetur dhe lehtësuar nga OKB-ja, Komiteti ia nisi punës më datë 20 nëntor në Gjenevë.

Në kontekstin e Procesit të Gjenevës, Komiteti është i mandatuar të përgatisë dhe hartojë për miratim popullor reformat kushtetuese për t’i hapur rrugën një zgjidhjeje politike në Siri.

Më 25 nëntor, delegacioni i regjimit të Asadit u largua në ditën e parë të raundit të dytë të bisedimeve.

Siria është përfshirë në një luftë civile të egër që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit ndërhyri papritmas mizorisht për t’u dhënë fund protestave prodemokratike.

Që atëherë, qindra-mijëra njerëz janë vrarë, më shumë se 10 milionë të tjerë janë shpërngulur dhe mbi 5 milion civilë janë bërë refugjatë, sipas zyrtarëve të OKB-së. Turqia pret 3,6 milion prej tyre, më shumë se çdo vend tjetër në botë.



Lajme të ngjashme