Irani: Do të godasim të gjitha trupat amerikane nëse sulmohemi

Gjenerali Yahya Rahim Safevi ka thënë të premten se do të godasin të gjitha trupat ushtarake amerikane, që nga Mesdheu e deri në Oqeanin Indian në rast se do të përballen me një sulm të mundshëm.

Irani: Do të godasim të gjitha trupat amerikane nëse sulmohemi

Yahya Rahim Safevi, këshilltar i lartë ushtarak i liderit fetar të Iranit, Ajetullah Ali Hamanej ka thënë se në rast se vendi i tij do të përballej me një sulm të mundshëm, atëherë ata do të godisnin të gjitha trupat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në të gjithë rajonin, duke filluar nga Mesdheu e deri në Oqeanin Indian.

Sipas një lajmi të agjencisë zyrtare të Iranit, “IRNA”, Safevi në fjalën që mbajti para hytbesë së xhumasë në Teheran tha se në rast se ShBA-ja do të ndërmerrte ndonjë sulm të çfarëdoshëm kundër Iranit, atëherë forcat e autorizuara të Teheranit, të cilat quhen ndryshe edhe fronti i rezistencës, do të marrin në shënjestër objektivat amerikane në një hapësirë të gjerë gjeografike në tërë rajonin.

“Aleatët e Iranit dhe fronti i rezistencës me kapacitet që zotërojnë sot janë bërë më të fuqishme se sa aleatët e ShBA-së. Nëse amerikanët do të mendojnë ndonjë komplot të çfarëdoshëm (ndaj Iranit), ne do t’u kundërpërgjigjemi atyre në një rajon të gjerë që fillon nga Mesdheu e zgjatet deri në Detin e Kuq dhe Oqeanin Indian”,- u shpreh Safevi, i cili njëherësh është edhe një prej komandantëve supremë të Gardës Revolucionare të Iranit.

Tensioni në rajon mes Iranit nga njëra anë dhe ShBA-së e Arabisë Saudite nga ana tjetër është rritur edhe më shumë pas sulmit që ndodhi të shtunën kundër 2 komplekseve të kompanisë kombëtare të naftës së Arabisë Saudite “Aramco”.

Edhe pse përgjegjësia e sulmit është pranuar nga huthitë e Jemenit, administrata amerikane pretendon se sulmi është realizuar me mbështetjen e Iranit ose drejtpërdrejt nga Irani.

Kurse Teherani zyrtar thotë se nuk ka asnjë lidhje me këtë sulm.

 


Lajme të ngjashme