Vendet Perëndimore i rikujtojnë Iranit angazhimet bërthamore
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët me shkrim në lidhje me këtë çështje.

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë thellësisht të shqetësuar për vendimet dhe aktivitetet iraniane kundër angazhimeve të tyre që rrjedhin nga marrëveshja bërthamore.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, dhe ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar bënë të premten (13 shtator) një deklaratë me shkrim në lidhje me këtë çështje.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) konfirmoi në raportin e saj të fundit se në kompleksin bërthamor në Natanz janë ndërtuar centrifuga të përparuara, bën të ditur komunikata dhe përcjell shqetësimin e thellë që ndjejnë për këtë ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Anglisë bashkë me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së.
"Ne jemi të shqetësuar për rrezikun e shfuqizimit të marrëveshjes bërthamore për shkak të sanksioneve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) zbatojnë që nga maji i vitit 2018 dhe pas vendimit të Iranit për të mos përmbushur angazhimet e tij kryesore në raport me marrëveshjen”,- thuhet në komunikatë.
"Ngjarjet e fundit,- vijon komunikata e përbashkët,- theksojnë edhe një herë se sa e rëndësishme është ndërmarrja e iniciativave diplomatike për të reduktuar tensionin dhe rivendosur dialogun".
Nga Irani ministrat e Jashtëm evropianë kërkojnë të shmangë aktivitetet që bien ndesh me angazhimet e tij bërthamore (që burojnë nga marrëveshja e 2015) dhe të bashkëpunojë me agjencinë IAEA për çështje që lidhen me monitorimin e veprimtarisë së tij bërthamore.
Zëdhënësi i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit, Behruz Kamalvandi kishte thënë javën e kaluar se vendi i tij filloi fazën e tretë të procesit të reduktimit të angazhimeve në marrëveshjen bërthamore.