Gjermani – Merkel: Rivaliteti SHBA-Kinë do të ketë pasoja të rënda për Evropën

Gjatë debatit mbi buxhetin vjetor në Bundestag, kancelarja gjermane tha se rivaliteti në rritje mes SHBA-së dhe Kinës, ripërtëritja gjeostrategjike e Rusisë, por edhe Brexit-i, do të kenë pasoja të rënda, për të cilat Evropa duhet të jetë e përgatitur.

Gjermani – Merkel: Rivaliteti SHBA-Kinë do të ketë pasoja të rënda për Evropën

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi të mërkurën se është koha që brenda Bashkimit Evropian të ketë bashkëpunim më të ngushtë duke pasur parasysh ndryshimet globale në vazhdim dhe tensionet që po trajtësojnë agjendën aktuale.

Gjatë debatit mbi buxhetin vjetor në Dhomën e Ulët të Parlamentit Federal (Bundestag), Merkel tha se rivaliteti në rritje mes SHBA-së dhe Kinës, ripërtëritja gjeostrategjike e Rusisë, por edhe largimi i planifikuar i Britanisë së Madhe nga BE-ja, do të kenë pasoja të rënda, për të cilat Evropa duhet të jetë e përgatitur.

“Pas largimit të Britanisë së Madhe (nga BE-ja), ne do të kemi një konkurrencë ekonomike në derën tonë, pavarësisht se duam t’i mbajmë të ngushta lidhjet ekonomike, bashkëpunimin e jashtëm dhe atë në siguri, pavarësisht se duam t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona miqësore”, theksoi Merkel.

“Blloku evropian duhet të përmirësohet edhe nga ana teknologjike duke qenë se Evropa ka mbetur pas në lidhje me disa zhvillime të rëndësishme teknologjike”, vijoi ajo.

Në lidhje me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Gjermania të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes për NATO-n me 2 për qind të PBB-së, shefja e Berlinit zyrtar tha se vendi i saj do ta mbajë premtimin për t’iu afruar këtij qëllimi dhe shtoi se edhe BE-ja ka planifikuar të forcojë politikat e saj të përbashkëta të mbrojtjes.

Gjithashtu Merkel u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që muajt e ardhshëm të ndërmarrin hapat e nevojshme për ta bërë Unionin një aktor të fuqishëm global, i cili do të mbronte multilateralizmin.



Lajme të ngjashme