Shefat e inteligjencës së vendeve turkofone mblidhen në Azerbajxhan

Kryeqyteti Baku i Azerbajxhanit priti të premten Sesionin 22. Të Konferencës së Agjencive të Inteligjencës së Këshillit të Bashkëpunimi të Vendeve Turkofone (Këshilli Turk).

Shefat e inteligjencës së vendeve turkofone mblidhen në Azerbajxhan

Të pranishëm në këtë sesion, organizuar nën mikpritjen dhe kujdesin e kreut të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Republikës së Azerbajxhanit – gjenerallejtënant Ali Nagiyev, ishin presidenti i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë (MIT) – Hakan Fidan, kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kazakistanit (KBB) – Karim Massimov dhe shefi i Komitetit Shtetëror për Sigurinë Kombëtare të Kirgizisë (GKNB) – Orozbek Opumbayev.

Në takim, ku mori pjesë gjithashtu kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Azerbajxhanit – Orhan Sultanov, i pranishëm si vëzhgues ishte edhe shefi i Shërbimit të Sigurisë Kombëtare të Uzbekistanit (MXX), gjenerallejtënant Abdusalom Azizov.

Siç bën të ditur Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të Azerbajxhanit përmes një komunikate të shkruar, në këtë sesion u bisedua për zhvillimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe u shkëmbyen informacione operative rreth kërcënimeve e veprave penale të ndryshme.

“Palët pjesëmarrëse në takim ranë dakord për të themeluar në Ankara Sekretariatin e Përhershëm të Konferencës së Agjencive të Inteligjencës së Këshillit Turk”, theksohet mes të tjerash në komunikatë.

Nga ana tjetër, shefi i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë – Hakan Fidan, kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kazakistanit – Karim Massimov, shefi i Komitetit Shtetëror për Sigurinë Kombëtare të Kirgizisë – Orozbek Opumbayev dhe shefi i Shërbimit të Sigurisë Kombëtare të Uzbekistanit (MXX), gjenerallejtënant Abdusalom Azizov, u pritën në takim nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.



Lajme të ngjashme