Paralajmërimi i OKB-së: 3 milionë sirianë të rrezikuar nga sulmet e regjimit

Me miliona civilë janë në rrezik nëse nuk ndalojnë sulmet e regjimit, thonë nga OKB, duke u bërë thirrje palëve që "plotësisht" të respektojnë ligjin humanitar ndërkombëtar.

suriye_idlib_rejim saldırılarında yaralanan siviller.jpg

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka lëshuar një paralajmërim se 3 milionë njerëz në veriperëndim të Sirisë janë në rrezik nëse regjimi vazhdon me sulmet e tij kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.

"Sekretari i Përgjithshëm tha se është shumë i shqetësuar nga përshkallëzimi i vazhdueshëm i situatës në veriperëndim të Sirisë dhe se për mundësinë e një sulmi më të thellë në Idlib, i cili mund të shkaktojë një valë të re vuajtjesh njerëzore që ndoshta do të prekë më shumë se 3 milionë njerëz", tha në një komferencë për media Stephane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Duke e cituar reagimin e Guterres-it për sulmet e vazhdueshme ndaj civilëve, Dujarric tha se OKB "kërkon nga të gjitha palët që tërësisht të respektojnë ligjin humanitar ndërkombëtar".

"Sekretari i Përgjithshëm përsërit thirrjen e tij urgjente që të zbatohet Memorandumi i Mirëkuptimit për Idlibin i shtatorit të vitit 2018", shtoi ai, duke iu referuar marrëveshjes së armëpushimit të arritur midis Turqisë dhe Rusisë.

Dujarric shtoi se grupet humanitare në terren në Idlib kanë raportuar tre raste vdekjesh civile dhe 14 plagosje në përleshjet e së martës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Ai vuri theksin në shpërnguljet dhe vuajtjet e popullatës lokale, mijëra prej të cilëve disa herë janë detyruar të shpërngulen në një lokacion tjetër të vendit për të shmangur bombardimet e regjimit.

"Midis 1 majit dhe 18 gushtit të këtij viti, janë regjistruar 576 mijë lëvizje nga njerëzit e zhvendosur në veriperëndim të vendit", tha ai, duke shtuar se shumë njerëz janë zhvendosur deri në pesë herë deri më tani, ndërsa disa prej tyre janë detyruar që të zhvendosen deri në 10 herë për shkak të luftimeve.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit të kaluar u dakorduan që ta shndërrojnë Idlibin në një zonë çtensionimi, në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Megjithatë, regjimi në vazhdimësi i ka shkelur kushtet e armëpushimit, duke ndërmarrë sulme të shpeshta brenda zonës së çtensionimit

Zona e çtensionimit aktualisht është e banuar nga 4 milionë civilë, përfshirë edhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga forcat e regjimit nga qytetet e tyre nëpër vite në shtetin e shkatërruar nga lufta civile disavjeçare.

Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.

 


Lajme të ngjashme