Iran – Rouhani: Sanksionimi i ministrit Javad Zarif nga SHBA-ja, “një punë kalamajsh”

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, e quajti të enjten përfshirjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif, në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “një punë kalamajsh”.

Iran – Rouhani: Sanksionimi i ministrit Javad Zarif nga SHBA-ja, “një punë kalamajsh”

“SHBA-ja bëri një punë kalamajsh. Edhe thonë se duan të negociojnë me Iranin, edhe aplikojnë sanksione ndaj ministrit të Punëve të Jashtme”, deklaroi Rouhani gjatë fjalës së rastit në një ceremoni në Tabriz.

Ai theksoi se rruga e negociatave kalon nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Nuk ka një rrugë tjetër për negociata. Dikasteri i diplomacisë është Ministria e Punëve të Jashtme. Armiku ynë është kaq i pafuqishëm, saqë ka humbur mendjen dhe aftësinë e tij për të menduar”, shtoi presidenti iranian.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi të mërkurën sanksionimin e kryediplomatit iranian, Mohammad Javad Zarif, duke ngrirë të gjitha asetet e tij në SHBA apo ato që kontrollohen nga subjekte amerikane.

Ky departament paralajmëroi edhe rritje të kufizimeve ndaj programit bërthamor iranian.

“Zarif zbaton agjendën e pamatur të liderit suprem të Iranit dhe është zëdhënësi kryesor i regjimit në gjithë botën. SHBA-ja është duke dërguar një mesazh të qartë për regjimin iranian se qasja e fundit është plotësisht e papranueshme”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, përmes një njoftimi për shtyp.

Pas këtij zhvillimi, Zarif postoi në median sociale një sërë mesazhesh, sipas të cilave administrata e Uashingtonit e ka sanksionuar atë sepse është rrezik për agjendën amerikane.

Ai potencoi se sanksionet në fjalë “nuk do të kenë ndikim” mbi të apo familjen e tij, pasi nuk kanë prona jashtë Iranit.



Lajme të ngjashme